Edhe përkundër apeleve të komunës, situata para bankave paraqitet njëjtë çdo ditë pasi që qytetarët shumë pak respektojnë distancën dhe mbrohen nga virusi Covid 19.
Urim HASIPI
Tetovë,16 shtator – Që nga fillimi i pandemisë Covid 19 në të gjitha filialet e Bankave vërehen grumbuj njerëz të cilët presin radhë për të kryer shërbimet e tyre. Këta qytetarë presin me orë të tëra që të vijnë në radhë. Bankat nga ana e tyre kanë angazhuar sigurim shtesë para derës të cilët mbajnë rend dhe ftojnë qytetarët sipas radhës në listë. Por kjo jo gjithherë është efikase ngase nervozizmi dhe humbja e durimit nga pritjet e gjata shkaktojnë revoltë tek qytetarët.
“Jam nga ora 7 para bankës dhe tash ora është 12 dhe nuk kam ardhur ende në rend për të kryer punë. Kam lënë shumë angazhime tjera të përditshme dhe duhet të rrijë me orë të tëra para bankës për një shërbim prej 10 minutave. Kjo s’është në rregull sepse banka duhet të jetë më efikase dhe të angazhojë më shumë punëtorë” thotë Rijati, një banor i Tetovës që priste radhë para bankës.
Situata më e rëndë paraqitet gjatë orëve të mesditës kur temperaturat janë të larta dhe kjo shkakton nervozizëm dhe është tepër e lodhshme për pleqtë. Kjo kategori duhet të përballojë temperaturat e larta para zyrave të bankave kurse jo rrallë herë më të rinjtë u japin përparësi.”Ne jemi prej mëngjesi dhe presim që ta në thërret sigurimi dhe të hyjmë brenda, por ka shumë njerëz dhe shumë pak respektohen rregullat për mbajtje të distancës”, thotë Rakipi një banor tjetër i Tetovës.
Nga komuna e Tetovës thonë se ngel në fuqi apeli deri Banka Popullore që të merr masa konkrete që kjo situatë të mos përsëritet.
“Banka Popullore duhet që të gjejë mënyrë apo formë që të shmangen tollovitë para bankave. Pra duhet që vet këta institucione të jenë më efikase që qytetarët të kryejnë punë sa më shpejtë sepse pamjet e tilla para bankave janë të papranueshme” thonë nga Shërbimi për informim në komunën e Tetovës. Edhe krahas këtyre apeleve të komunës situata para bankave paraqitet njëjtë çdo ditë ku qytetarët shumë pak respektojnë distancën dhe mbrohen nga virusi Covid 19. (koha.mk)