Vetëm një drejtësi që e kthen Gruevskin në shtëpi, është e denjë të quhet drejtësi. Gjithçka tjetër është teatër, me maska të huazuara në karnavalet e lira të politikës së ditës
Nga Emin AZEMI
Parmbrëmë u arrestua ish-kryeparlamentari Trajko Velanovski. Ai dyshohet se bashkë me disa të tjerë nga partia e tij, kanë organizuar ngjarjet e përgjakshme në Parlament, më 27 prilli 2017. Por dyshimet nuk përfundojnë me kaq. Po del se kryeorganizatori i kësaj skeme kriminale, që kishte si synim pengimin e ndërrimit të pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare, të jetë, askush tjetër, po azilantit të përvuajtur që në Bukuresht u prezantua si i ndjekur nga regjimi i Shkupit. Ai po i ikte drejtësisë, duke kaluar male e fusha nëpër Shqipëri, pasi një gjykatë e Shkupit e ngarkonte atë për dallavere gjatë blerjes së një mercedesi zyrtar që kishte kushtuar mbi 600 mijë euro. Kjo akuzë qesharake, e bëri në fakt Gruevskin të paraqitet si viktimë në mediat Perëndimore, të cilat nuk po e kuptonin se si është e mundur të ngrihet kaq shumë pluhur për një mercedes të kushtueshëm, që paska dëmtuar arkën e shtetit, ndërkohë që dëmet tjera qindramilionëshe ende s’ishin procesuar në gjykatë.
I dyshuari tjetër si organizator i 27 prillit është shumë i njohuri Nikolla Boshkovski (“koka” e përgjimeve) i cili së bashkë me Goran Grujoski, (ish-eprorin e Drejtorisë së Pestë) tashmë një kohë të gjatë gjenden në Greqi, si azil politik.
Çka po ndodhë me drejtësinë në Shkup? Ngjarjet e 27 prillit kanë ndodhur gati para dy viteve dhe ide e kujt ishte që të pritet kaq kohë dhe të mos arrestohen organizatorët kryesor të këtyre ngjarjeve. Nëse Gruevski iku ashtu si iku, ndonëse askush nuk beson se ajo ishte ikje klasike, pse u desh që detajet kryesore rreth 27 prillit të shpalosen kaq vonë. Kush kënd po e kursen?
Paqja (politike) në shtëpi, po ruhet duke shkelur me dy këmbë mbi parimet e së drejtës, pa të cilat shteti që ka si synim BE-në dhe NATO-n, nuk mund të bëjë asnjë hap. Por, një drejtësie që i ikin krerët e organizimeve kriminale, e ka vështirë të vendos paqe të vërtetë shoqërore në shtet, atëherë kur kastat politike mundohen të bëjnë pazare për mbijetesë. Nëse është kështu, i bie që të gjithë ne të jemi pengje të kësaj logjike që drejtësinë e zëvendëson me kontrabandë politike, nga e cila vështirë të shpëtojmë.
Paqja politike që pi ujë në burimet e kriminelëve, nuk është paqe, por rrezik permanent që kërcënon lirinë e çdonjërit prej neve. Politikanët që premtojnë reforma, mund të vazhdojnë kështu sepse pa premtime nuk mund të fitojnë vota, por ata nuk mundet makiazhin të na e shesin si reformë.
Vetëm një drejtësi që e kthen Gruevskin në shtëpi, është e denjë të quhet drejtësi. Gjithçka tjetër është teatër, me maska të huazuara në karnavalet e lira të politikës së ditës. (koha.mk)