Kosova dhe Serbia do të kenë marrëveshje të reja. Dy rrugët që çojnë tek fundi i negociatave dhe një paqe e përhershme, janë njohja ose tolerimi ndër subjekte, por pa njohje. Pse është i nevojshëm fundi i negociatave për normalizim të plotë?
Nga Idro SEFERI
Qindra bukëpjekës shqiptarë punojnë nëpër Serbi. Dhe, kjo është normale pasi ata ekzistojnë në shumicën e qyteteve serbe. Natën dhe çdo mëngjes ata pjekin bukë të ndryshme dhe pjekurina. Shumë jetojnë në bashkësi punëtorësh që vijnë rrinë me muaj të tërë në bluza të bardha nëpër bodrumet me pllaka qeramike të dyqaneve të ndryshme për të ushqyer serbët. Një numër më i madh është në Vojvodinë se sa në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd. Por, ata ekzistojnë. Në një lagje ku jetoja dikur në afërsi të pazarit të Kalleniqit, tek shqiptari pritej në radhë të paktën për 20 veta para teje. Ndonjëherë bëja muhabet me pronarin sa të kalonin radhët. Me mbi 40 punëtorë ai punonte pafundësisht. Paradoksi ishte që ngjitur me të ishte një bukëpjekës serb ku askush nuk priste në radhë. Ajo që i dallon? Byreku i hasjanit është pa yndyrë dhe ka një shije tjetër. Buka po ashtu e thekur dhe e butë brenda. Dhe, kaq. Këtu prisnin ndonjëherë edhe figura nga parlamenti i Serbisë. Shumë serbë dhe jo vetëm, por edhe kroat e boshnjak, mendojnë se shqiptarët të gjithë janë bukëpjekës pasi në jetën e tyre kanë qenë të tillë. Duke i shtuar këtu edhe shqiptarët e Maqedonisë Veriore që shquhen për ëmbëlsirat e tyre fantastike edhe tani në qendër të Beogradit.
Kjo duket normale dhe shpesh bëjë shaka kur me pyesin të panjohurit se çfarë bëjë këtu: jam bukëpjekës! Kjo duket normale dhe shpesh harrojmë derisa të mos ndodh ndonjë incident me bukëpjekësit, siç ndodhi edhe një sulm i ri këto ditë duke i thyer xhamat një bukëpjekësi shqiptarë. E vërteta është se ata ndër vite me traditë kanë punuar në këto anë dhe shumë prej tyre janë edhe pronarë shtëpish e dyqanesh, një pjesë kanë ardhur në Serbi para tri gjeneratash. Por, disi sërish ndodhin incidente. Serbia ka ftuar disa herë biznesmenët shqiptarë në përgjithësi, por duke mos shprehur asgjë as kundër atyre nga Kosova, që të investojnë në këtë shtet dhe shpesh është folur që duhet arritur deri tek pikat kur shqiptarët dhe serbët do të kenë kompani të përbashkëta. Idetë strategjikë shumë shpesh duken absurde dhe idilike për arsye të asaj që në të tashmen duken të pamundura, por jo edhe në të ardhmen e konsensuseve politike. Ato në parim i përkasin ideve të të menduarit bashkëkohorë, por problem është se a mund të bëhet paqe me këto idenë pa një ide të qartë mbi atë se ku do të shkoj politika. Domosdoshmërisht do të ndodh që shqiptarët dhe serbët të pajtohen një ditë dhe që intensiteti i mos pranimit të njeri-tjetrit, historia e së shkuarës së përgjakur, krimet dhe lufta do të ngelin mbrapa deshëm ne apo jo pasi koha do ta bëjë te vetën. Ajo që ndodh në mes quhet tranzicion dhe do të ketë absurditete, zgjidhje që mund të lidhin nyje situatën edhe më keq, por edhe të krijojnë viktima.
Marrëveshja ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë parasheh pak gjëra konkrete, por ka një ide politike mbi të gjitha: krijim e hapësirës për normalizim përmes ekonomisë. Dhe, sigurisht që pjesa më e madhe do të ndodh përmes ekonomisë dhe përmes projekteve të tjera apo kontakteve personale siç ishte këtë vit me një numër të madh serbësh që pushuan në bregdetin shqiptarë. Por, kjo nuk mjafton. Krijimi i atmosferës për të arritur deri tek ekonomia është një çështje thelbësore dhe për çdo gjë megjithatë do të nevojitet një marrëveshje finale dhe pa zgjidhje finale ku më nuk do të ketë nevojë per negociata, Kosova dhe Serbia nuk do të mund të kenë marrëdhënie të mira, por nuk do të kenë as mundësi të ndara për progres shumë të lartë ekonomik dhe ndërkombëtare në aspektin e integrimeve. Pritet që ndoshta Mini-Schengeni ta zgjidh çështjen se si do të funksiononin këto tregje me Kosovën brenda pasi shembull nëse doni të blini një birrë Peja në Beograd në sistemin e tanishëm e vetmja mundësi është ta porositni nga dikush në Kosovë. Në raftet e dyqaneve nuk ka shumë prodhime nga Kosova. Po ashtu në publik Kosova është e përfshirë ne disa vija elementare: kisha, serbët, asociacioni, trashëgimia dhe krimet e luftës. Por, në aspektin normal shoqërorë ajo nuk bënë pjesë në Serbi. Njëkohësisht në Kosovë ende shihet si problematike çdo marrëdhënie me serbët, pavarësisht se brenda vet shtetit ka një ulje tensionesh dhe incidentesh.
Pra, ekonomia mund të jetë mjet, por politika duhet të jetë qëllimi. Ekonomia nuk funksionon nëse deklarimet për palën tjetër janë nxitëse dhe të papërmbajtura. Por, si mund të bëhet kjo? Me një vullnet të qartë politik i cili paraqet një mesazh paqeje gjithmonë dhe thotë se nuk është problem të thuhet e vërteta dhe se bashkëpunimi është zgjidhja e duhur, pra rrjedhimisht nacionalizmat dhe urrejtja zhduken nga diskursi publik. Vullneti politik nuk është ndonjë mit mbi ekzistencën e ndonjë qenie mistike për të cilën kemi dëgjuar, por nuk e kemi parë. Është thjesht zhdukja e mesazheve të përditshme të urrejtjes dhe e garës politike për të triumfuar. Kur ndodh kjo? Sigurisht në momentin kur nuk do të ketë më se për çfarë të flitet në aspektin e gjërave të pazgjidhura, por kur politika do të jetë vetëm në shërbim të promovimit të asaj që ata thonë se duan të arrijnë me marrëveshje.
Zgjidhja finale mund të ketë dy rrugë: njëra është që Kosova dhe Serbia të bien dakord që të firmosin gjëra që kanë të bëjnë më statusin, me apo pa to brenda: njohje ose vendosje e mosnjohjes. Marrëveshja me njohje do të nënkuptonte që të flitet edhe për statusin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Mosnjohja, do të nënkuptonte se Kosova nëse arrin vet është në rregull, por Serbia nuk do ta kontestonte mundësinë e saj dhe nuk do të lobonte kundër kërkesave të Kosovës. Thjesht ajo nuk do të ishte pro për akt moral. Kjo quhet njohje de facto. Gjithsesi, diskursi pas marrëveshjes në Amerikë tregon se normalizimi i plotë do të filloj me përfundimin e plotë të negociatave: diçka që quhet fund. Dhe, se ai kalon përmes njerëzve si bukëpjekësit, por duhen mijëra byrek dhe një vullnet politik për ta tretur.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)