Papunësia, jeta e shtrenjtë, gjendja ekonomike në amvisëri dhe situata ekonomike në vend mbeten shqetësimet kryesore të qytetarëve në Maqedoni
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 korrik – Papunësia, jeta e shtrenjtë apo çmimet në rritje, gjendja ekonomike në amvisëri si dhe situata ekonomike në vend mbeten shqetësimet kryesore të qytetarëve në Maqedoni. Sipas anketës së fundit të Eurobarometrit të publikuar para një muaji dhe të realizuar në periudhën prej 17 deri më 31 maj, lidhur me telashet kryesore me të cilat ballafaqohet shteti, të anketuarit janë përgjigjur me 41 për qind se problem numër një është papunësia, me 34 për qind janë përgjigjur se kjo është situata ekonomike, 23 për qind janë përgjigjur për koston e jetesës dhe me 18 për qind janë përgjigjur se ikja jashtë e popullatës apo migrimi paraqesin shqetësim për ta, shkruan gazeta KOHA.
Nga ana tjetër, të pyetur se cilat janë shqetësimet e tjera me të cilat përballet vendi, të anketuarit janë përgjigjur se i mundon edhe kriminaliteti, borxhi publik, siguria shëndetësore dhe sociale, pensionet, sistemi arsimor e kështu me radhë. Në pyetjen e veçantë se cilat janë problemet e tjera me të cilat ata përballen ata personalisht, qytetarët janë përgjigjur se janë të shqetësuar edhe për kushtet e jetesës dhe punës, çështjet e ambientit dhe klimës etj.
Më shumë se një e treta apo 40 për qind e të anketuarve nuk presin përmirësim të situatës ekonomike në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa një e treta apo 33 për qind mendojnë se nuk do të ketë ndryshime pozitive. Vetëm 22 për qind e të anketuarve janë optimistë se situata ekonomike në shtet do të shënojë progres dhe përmirësim.
Qytetarët në Maqedoni nuk kanë ndonjë shpresë më të madhe as për punësime të reja. Një e treta apo 33 për qind nuk presin ndryshim të situatës, 40 për qind mendojnë se bile do të përkeqësohet situata me hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa vetëm 22 për qind janë optimist më të mëdhenj për punësimin.
Qeveria e Maqedonisë gëzon besimin e 30 për qind të qytetarëve, ndërsa Parlamenti te 26 për qind e qytetarëve, ndërsa mosbesim ndaj këtyre institucioneve kanë shprehur 60 dhe 66 për qind të qytetarëve. Besim në Bashkimin Evropian kanë 55 për qind të qytetarëve, ndërsa 37 për qind nuk kanë besim.
Në pyetjen se çka për ta personalisht paraqet Bashkimi Evropian , numri më i madh i anketuarve në Maqedoni, apo 56 për qind janë përgjigjur liria e udhëtimeve, studimit dhe punës çdo kund në Evropë, pastaj prosperiteti ekonomik me 37 për qind, pason paqja, demokracia dhe pozita më e fuqishme në botë me 22 për qind dhe mbrojtja sociale me 19 për qind.
Është interesante të theksohet se BE, për qytetarët e Maqedonisë nënkupton edhe diversitet kulturor, kufij të hapur apo kontroll të pamjaftueshëm në kufijtë e jashtëm, humbje të identitetit kulturor etj.
Ndryshe, në anketat për Eurobarometrin e pranverës së Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate të publikuar në muajin qershor, kanë marrë pjesë 33.130 persona nga shtetet e vjetra dhe ato shtet pretedente për tu anëtarësuar në Unionin Evropian. (koha.mk)