[adning id="476476"]

Papërgjegjshmëria si traditë

40

Situata e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut nuk mund të themi se është e qetë dhe stabile në aspektin shëndetësor dhe ekonomik, e sidomos pas rastit tragjik në Tetovë ku opinioni po kërkon përgjegjësi

Xhenur ISENI

Shkup, 14 shtator – Maqedonia e Veriut po hy në një fazë turbulente dhe të ndjeshme politike. Për momentin po zhvillohet regjistrimi i popullsisë, ndërsa pas një muaji do të mbahen edhe zgjedhjet lokale. Por që situata të rëndohet dhe më shumë, javën e kaluar shteti në 30 vjetorin e saj përjetoi një nga tragjeditë më të mëdha që nga pavarësia, në të cilën në spitalin modular në Tetovë nga zjarri humbën jetën 14 pacientë. Për të njëjtin rast, opinioni u ngrit në këmbë dhe u solidarizua me familjet e viktimave, por nuk mungonin edhe thirrjet ndaj autoriteteve për përgjegjësi si morale ashtu edhe për atë penale. Zyrtarë të lartë një ditë pas rastit tragjik, thanë se nuk është koha për dorëheqje por për sfida, por të nesërmen të njëjtit ofruan dorëheqje për shkaqe “morale”. Ministri Venko Filipçe ofroi dorëheqje deri tek kryeministri Zoran Zaev, ndërsa ky i fundit tha se pasi të përfundojë ekspertiza për rastin, do të vendosë nëse do të pranon dorëheqjen e tij.

Situata e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut nuk mund të themi se është e qetë dhe stabile në aspektin shëndetësor dhe ekonomik, thotë analisti politik, Berat Azizi. Ai thotë se vazhdojmë të mbetemi vendi me më shumë të vdekur nga Korona ndërsa situata ekonomike edhe përkundër lëvizjeve të vogla mbetet në shkallën më të ulët. “Tensione sociale mendoj se ka pasur gjithmonë por jo si në vendet evropiane ku shfaqen përmes protestave dhe formave të tjera të pakënaqësisë. Mendoj se këtu qytetarët kanë humbur besimin tek të gjitha partitë dhe faktorët tjerë dhe për këtë shkak nuk kemi protesta të tipit socio-ekonomik ashtu siç kemi në vendet e Evropës Perëndimore. Në lidhje me atë se mund opozita të organizojë protesta pas zgjedhjeve lokale, unë mendoj se nuk përjashtohet mundësi e organizimit të protestave, por kjo duhet parë në dy dimensione. E para do të jetë rezultati i zgjedhjeve lokale që do të diktojë një formë tjetër të shprehjes së pakënaqësisë dhe e dyta do të jetë kërkesa për të shkuar një zgjedhje të parakohshme. Pra opozita mendoj se pas zgjedhjeve më shumë do të kërkojë destabilizim të situatës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse do të jetë favorin e saj se sa protesta të tipit soico-ekonomik. Nëse në zgjedhje lokale pushteti humb shumicën e komunave atëherë zgjedhjet parlamentare do të jenë të pashmangshme dhe presioni ndaj pushtetit do të jetë dukshëm më i madh. Një faktor tjetër që mund të çojë vendin në tensione të reja do të jetë loja rreth rezultatit të regjistrimit të popullsisë që mund të vijë në shprehje nga parti të ndryshme politike dhe nga faktor që do të tentojnë të manipulojnë rezultatin. Pra rezerva çdo herë duhet të mbeten opsioni i vetëm në këtë shtet”, shprehet Azizi.

PAS PROCESIT TË REGJISTRIMIT, MUND TË KEMI TENSIONE

Pas regjistrimit të popullsisë mund të ketë tentim për destabilizim me pretekstin e regjistrimit të “falsifikuar”, thotë analisti politik, Faton Aliti. Ai thotë se këtë paralajmërim tani më disa herë e kemi dëgjuar nga aktivist të VMRO-DPMNE-së dhe disa subjekte më të vogla opozitare por shumë radikale të cilët propagandojnë përqindjen e shqiptarëve nën 20 me qëllim të kontestimit të rezultatit real. “E gjitha kjo, në kombinim me bllokimin e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, ngecjen në ekonomi për shkak të pandemisë, rezultatet e hetimit për tragjedinë në Tetovë të cilat besoj se do të zbardhin përgjegjësinë edhe brenda institucioneve, mund të rezultojë me revolt më të theksuar qytetarë i cili do të ishte edhe i nxitur nga manipulime mediatike të cilat janë në shërbim ose të themeluara nga qendra të cilat për interes kanë zbarkimin e Maqedonisë nga agjenda evropiane. Kjo po ndodh në Mal të Zi për momentin. Te ne ky proces nuk ka sukses si në Mal të Zi sepse këtu shqiptarët përbëjnë afërsisht një të tretën e popullatës dhe ndikimi nga veriu është shumë më i dobët. Prandaj ndryshon metoda por jo edhe qëllimi. Them ndryshon metoda sepse projekti Vranishkovski dështoi. Tani investohet në luftë ndërfetare brenda shqiptare dhe në koalicione joparimore të dy e më tepër ekstremeve nën petkun e qytetarizmit. Kjo e fundit pati sukses në Mal të Zi ku një djalë i sinqertë, i shkolluar dhe i rri, por edhe naiv, besoi në qytetarizmin e partnerit të tij të koalicionit Krivokapiç, tani kryeministër”, ka deklaruar për KOHA, Faton Aliti, analist.

TRAGJEDIA NË TETOVË

Në lidhje me rastin tragjik në Tetovë ku humbën jetën 14 persona është komentuar shumë, por faktikisht ende nuk është marrë ndonjë hap konkret. Azizi shprehet se zyrtarët të lartë të shtetit ende vazhdojnë të mos mbajnë përgjegjësi për aktin tragjik. Sipas tij duhet dikush të merr përgjegjësi sepse kemi të bëjmë me një spital modular i ndërtuar vetëm para tre apo katër muajve. “Nuk mund të sillen të papërgjegjshëm ministri i shëndetësisë dhe kompanitë të cilat kanë qenë të angazhuara për ndërtimin e spitalit modular. Por për mendimin tim më brengosës po bëhet fakti tani që pas dorëheqjes së ministrit të shëndetësisë dhe zyrtarëve tjerë kanë nisur zërat në mbështetje të tyre. Pra shumë drejtor po kërkojnë që dorëheqja e ministrit të mos pranohet dhe kjo të bën të dyshojmë se në këtë zinxhir të papërgjegjshmërisë po futen të gjithë drejtuesit. Nuk është as etike e as morale që të kërkosh të mos jepet dorëheqje në një kohë kur familjet që kanë humbur të afërmit e tyre janë në gjendje shoku. Situata në Tetovë kërkon një angazhim të të gjitha strukturave dhe një përgjegjshmëri më të madhe të zyrtarëve e jo lojë me fjalët. Përgjegjësi duhet të ketë dhe organet hetuese duhet të bëjnë punën e tyre sa më shpejt që të zbardhen shkaqet e tragjedisë në Tetovë. Vetëm zbardhja e shkaqeve do të mund të kthejë besimin tek sistemi i drejtësisë në të kundërtën do të zhytemi akoma më tepër në padrejtësi dhe mosbesim”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist.

TRADITA E PAPËRGJEGJSHMËRISË

Kjo nuk është hera e parë në historinë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut që ndodhin gjëra të tilla, në të cilën opinioni kërkon dorëheqje dhe përgjegjësi, ndërsa zyrtarët nuk bëjnë një gjë të tillë. Në qeverisjen e kësaj garniture u kërkua dorëheqja e Ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski për shkak të arratisjes së ish kryeministrit, tani azilkërkues në Hungari, Nikolla Gruevski, dhe pas arratisjes të ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, ku më pas u paraqit në opinion. Gjatë sundimit 11-vjeçar të VMRO-DPMNE-së, kishte kërkesa të larta për përgjegjësi morale për disa ngjarje të mëdha. Pas përmbytjeve në Hasanbeg dhe Stajkovc, kur pushteti qendror dhe lokal ishin në duart e VMRO-DPMNE-së, opozita e atëhershme e LSDM-së kërkoi dorëheqjen e funksionarëve të asaj qeverie.

Në gusht të vitit 2016, 22 persona ndërruan jetë pas përmbytjeve. LSDM akuzoi se viktimat ishin pasojë e mos-marrjes së masave të duhura për mbrojtje dhe kërkoi dorëheqjen e kryetarit të atëhershëm të Shkupit Koce Trajanovski, por i njëjti nuk dha dorëheqje. Reagime të ngjashme ka pasur edhe pas rastit të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë më 9 maj të vitit 2015. Atëherë në përplasjen mes forcave të sigurisë dhe grupit të armatosur, 8 pjesëtarë të policisë ndërruan jetë, ndërsa u kërkua përgjegjësi nga ministrja e atëhershme për punë të brendshme, Gordana Jankulloska dhe shefi i atëhershëm i DSK-së, Mijallkov. Të dy dhe ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhanë dorëheqjen më 12 maj të të njëjtit vit, por shpjegimet e tyre nuk thanë se ata e bënë atë për shkak të ngjarjeve në Kumanovë, por për shkak të krizës së thellë politike që ndodhi pasi LSDM-ja opozitare në atë periudhë filloi publikimin e audio-incizimeve në të cilat dëgjoheshin aktivitetet ilegale të Qeverisë. Vetë Janakieski vite më parë, përkatësisht në vitin 2009, ofroi dorëheqjen për arsye morale pas fundosjes së anijes në Liqenin e Ohrit, në të cilën ndërruan jetë 15 turistë bullgarë, por oferta për dorëheqje u refuzua nga kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski. (koha.mk)