Këto ditë kur Dibra është përplot me mërgimtarë si nga SHBA ashtu edhe nga Evropa, në orët e mbrëmjes shëtitorja mbushet me mbeturina. Pushteti vendor në Dibër ka kërkuar që pronarët të objekteve afariste të mos hedhin mbeturinat ditore nëpër koshat, por atë ta bëjnë në orët e mëngjesit kur kalon automjeti për grumbullimin e mbeturinave
Vjollca SADIKU
Dibër, 6 gusht – Edhe pse ndërmarrja komunale publike në Dibër në bashkëpunim me komunën ka realizuar tërë infrastrukturën për të mirëmbajtur higjienën në qytet, përsëri paraqiten probleme me hedhjen e mbeturinave në pjesën qendrore të qytetit. Këto ditë kur Dibra është përplot me mërgimtarë si nga SHBA ashtu edhe nga Evropa, në orët e mbrëmjes shëtitorja mbushet me mbeturina. Pushteti vendor në Dibër ka kërkuar që pronarët të objekteve afariste të mos hedhin mbeturinat ditore nëpër koshat, por atë ta bëjnë në orët e mëngjesit kur kalon automjeti për grumbullimin e mbeturinave. Edhe përkundrejt këtij apeli pas orës 22:00 të mbrëmjes shëtitorja është përplot me mbeturina. Pjesa më frekuentuese e qytetit të Dibrës, shëtitorja këto ditë të verës është përplot me qytetar dhe mërgimtar të cilët pas ditëve të nxehta freskohen në objektet shërbyese që gjenden në pjesën qendrore të qytetit. Pronarët të objekteve siç janë kefiteritë, restorantet, ëmbëltoret etj, janë të kënaqur nga puna. Bisedat mes qytetarëve dhe mërgimtarëve vazhdojnë deri në orët e vona dhe ata shprehin kënaqësi që kanë ardhur në vendlindje. Por, bie në sy pastërtia në nivel të ulët në pjesën qendrore të qytetit.
Pushteti vendor ka kritikuar ashpër disa pronarë të shitoreve të cilët pas biznesit gjatë ditës, në orët e mbrëmjes hedhin mbeturina të ndryshme kryesisht kartonë, shishe plastike dhe mbeturina të tjera në afërsi të koshave të vegjël të cilat janë për grumbullimin e mbeturinave që hedhin qytetarët, meqë mbeturinat e dyqaneve hidhen në përputhje me vendimin të ndërmarrjes komunale “Standardi” në orët e mëngjesit, kur ata mbeturina të dyqaneve i grumbullon automjetet i ndërmarrjes komunale. Në reagimin e pushtetit vendor theksohet se hedhja e mbeturinave vend e pa vend nga shitoret shkakton një njollë të zezë në qendër të qytetit. Me të vërtet shëtitorja e Dibrës ka një pamje tejet shqetësuese në orët e vona të natës. Biseduam edhe me qytetar të cilët pas temperaturave të larta gjatë ditës janë frekuentues të rregullt të shëtitores.
Ata thonë se pas rikonstruimit të shëtitores ku ka një ndriçim të nivelit të lartë, me të vërtet ka mundësi shumë të mira për një relaks. Por, siç thonë hedhja e mbeturinave jo vetëm nga pronarët të shitoreve por edhe nga qytetarë të pandërgjegjshëm shkakton një shqetësim serioz meqë dibranët gjithmonë janë dalluar për mirëmbajtjen të higjienës.
Takuam Erin, Drenin dhe Dionin duke shëtitur. Janë mërgimtar që jetojnë në Amerikë dhe kanë ardhur në vizitë tek gjyshërit e tyre. Ata potencojnë se Dibra është shumë e bukur, shëtitorja tani është fantastike por janë të pakënaqur nga jo pastërtia që është prezent në qendër të qytetit. Eri i cili jeton në Nju Jork tha se kjo papastërti mund të ndalet vetëm me masa ligjore për ndotje të mjedisit jetësor. Dënimet janë një nevojë e momentit. Tek ne në Nju Jork nuk tolerohet kjo,, thotë Eri. Dukuria e cila me të vërtet është një njollë e zezë për qytetin e Dibrës sidomos është prezent me fillimin e sezonit veror. Mbeturinat hidhen para syve të të gjithë dibranëve që frekuentojnë këtë pjesë të qytetit. Por, askush nuk reagon, prandaj popullata kërkon një aktivitet më të denjë të inspektorëve dhe organeve të tjera kompetente. Në shtete të Unionit Evropian ku tentojmë të shkojmë për një pështymë ka dënime të rënda e jo të hedhim mbeturina vend e pa vend. Pushteti vendor ka fuqi dhe të drejt ligjore që të ndërmerr edhe aktivitete të tjera për të tejkaluar ndotjen e ambientit në rrugët qendrore, thonë mërgimtarët të cilët tani kanë ardhur në vendlindje për ti vizituar të afërmit e tyre. (koha.mk)