Shkup, 13 dhjetor – Në një intervistë për Klan Maqedoni, zëvendëskryetari i Parlamentit Evropian, Dimitrios Papadimoulis shprehet se Bashkimi Evropian duhet të korrigjojë gabimin historik që bëri me mosmarrjen e vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për Papadimoulis, hapja e negociatave në mars është e arritshme, por kërkon arritjen e rezultatave dhe opozita në Maqedoninë e Veriut duhet të ndjekë shembullin e ish opozitës në Greqi
Bashkimi Evropian është aktualisht i ndarë në dy grupime lidhur me politikën e zgjerimit. Disa shtete mbështesin propozimin e Francës për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit dhe kërkojnë rezultate në reforma, ndërkohë që një shumicë prej më shumë se 15 shtetesh kërkojnë paralelisht hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në mars. Cili është qëndrimi juaj?
“Është thelbësore për Bashkimin Evropian të ndryshojë gabimin historik që Këshilli i ministrave e bëri në Tetor. Maqedonia e Veriut dhe qytetarët e saj e meritojnë një orientim evropian. Ata kanë bërë përpjekje tê shumta lidhur me reformat. Ata arritën marrëveshjen e Prespës, duke hapur rrugën për të ardhmen. Dhe e ardhmja ofron përfitim të ndërsjellë në kuadrin e perspektivës evropiane. Nuk bëhet fjalë vetëm vetëm një shpërblim vetëm për Maqedoninë e Veriut, por është edhe në të mirën e rajonit të Ballkanit, Greqisë dhe Bashkimit Evropian në tërësi. Ndaj mendoj, se ne mund të kryejmë dy procese paralelisht. Së pari, të fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe paralelisht të diskutojmë të gjitha ndryshimet e nevojshme në procesin e anëtarësimit. Greqisë i janë dashur 20 vjet që nga fillimi i procesit të negociatave në 1961 deri në anëtarësimin e saj në 1981. Pra, ne nuk po diskutojmë këtu për anëtarësim dhe është e rëndësishme të mos humbim më kohë, se kjo na çon te humbja e besimit dhe e shpresës. Për shumicën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe veçanërisht brezin e ri, është procesi i demokratizimit dhe i modernizimit të vendit që jep shpresë lidhur me punësimin, prosperitetin e vendit dhe një të ardhme më të mirë sesa prindërit ose gjyshërit e tyre. Ne jemi duke bashkuar forcat, pasi Maqedonia e Veriut ka një mbështetje pothuajse unanime në Parlamentin Evropian me më shumë se 90 për qind për hapjen e negociatave, ashtu si dhe në ekipin e Komisionit Evropian të mëparshëm dhe të tanishëm. Në Këshillin e ministrave, 24 nga 27 shtetet anëtare e mbështesin gjithashtu këtë ide.
Ndërkohë ka iniciativë si ajo e Greqisë që mblodhi së bashku Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë si dhe Ministrat e tjerë të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Ka hapa pozitivë. Unë jam takuar me Ministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov dhe kam diskutuar me të procesin. Jam i lumtur që qeveria e re e Greqisë, edhe pse kur ishte në opozitë e shigjetoi marrëveshjen e Prespës, tani po ndjek rrugën e hapur nga Cipras dhe Zaev për marrëveshjen e Prespës dhe mbështetjen e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Kjo kthesë e ish opozitës në Greqi mund t’i shërbejë si një mësim edhe opozitës në Maqedoninë e Veriut, sepse nga marrëveshja e Prespës përfitojnë të dyja vendet, qytetarët e tyre dhe rajonin.
Ajo që kërkohet nga shumica e shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian është hapja e negociatave me të dyja vendet në mars. Është e arritshme kjo?
Është e realizueshme, mund të bëhet dhe po punoj për këtë. Por preferoj të përqendrohem te arritja e rezultateve sesa te dhënia e premtimeve.(koha.mk)