Romë, 7 maj – Maqedonia është porta përmes së cilës krishterimi hyri në Evropë, sepse banorët e tokës maqedonase ishin evropianët e parë, tek të cilët Apostulli Pal e transmetoi mësimin e krishtërimit, tha kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur gjatë fluturimit të avionit të papës nga Shkupi në Romë, ai theksoi se populli maqedonas ka një traditë të madhe kulturore dhe historike, që vetëm pak kohë më parë arriti të formojë shtetësinë e tij, përcjellë KOHA.
Ai theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Shkup, në kuadër të vizitës së tij treditore në Bullgari dhe në Maqedoninë Veriore, e cila përfundoi sot, një përshtypje të veçantë i lanë dy murgeshat që ai i takoi në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, të cilat megjithëse ishin të varfra, kujdeseshin dhe ndihmonin njerëzit e varfër dhe, siç i thanë atij, ata nuk i trajtonin si fëmijë për të cilët ato kujdeseshin por si prindër, d.m.th. me respekt dhe me përulësi dhe me dashamirësi dhe ngrohtësi.
Ati i Shenjtë theksoi se ishte veçanërisht i lumtur kur dëgjoi se në vendin tonë mbizotëron respekti për të gjitha fetë dhe se ka respekt ndër anëtarët e bashkësive të ndryshme fetare.
Sa për përshtypjet e qëndrimit të tij në Bullgari, Papa theksoi se më tepër e preku lutja e paqes që mbajti në Sofje, në të cilën , siç tha ai, të gjithë qëndronin së bashku pavarësisht nga moti i keq.
Papa në konferencën për shtyp shfrytëzoi rastin për t’i shprehur respekt murgut Zhan Vanie, i cili ndërroi jetë sot, duke vënë në dukje punën e tij bamirëse, që shpesh herë është krahasuar me Nënë Terezën. (koha.mk)