Papa Françesku e dënoi masakrën në Buça dhe puthi flamurin ukrainas, për të cilin tha se i është dërguar nga ky qytet, gjatë audiencës së tij javore me auditorin në Vatikan, lajmëron Bi-Bi-Si.
“Lajmet e fundit për luftën në Ukrainë, në vend që të sjellin lehtësim dhe shpresë, kanë sjellë krime të reja, si masakra në Buça. Mizoria që është gjithnjë e më e tmerrshme, madje edhe kundër civilëve, grave të pambrojtura dhe fëmijëve”, deklaroi papa Françesku.
Prej se e shpalosi flamurin ukrainas që iu soll nga Buça, papa Françesku bëri thirrje që disa fëmijë refugjatë nga Ukraina të shkonin në Vatikan.
“Këta fëmijë duhej të iknin për të arritur në një vend të sigurt. Ky është fryt i luftës. Le të mos i harrojmë ata dhe të mos harrojmë popullin ukrainas”, tha papa Françesku.
Presidenti i Ukrainës Vollodimir Zelenski dje para Këshillit të Sigurisë të OKB-së e akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e krimeve më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore. Kremlini pretendon se nuk ka prova se ushtarët rusë kanë kryer krimet për të cilat akuzohen.