“MPB e mban të drejtën e ndalimit të komunikacioni në intervale të shkurta kohore, përfshi edhe asket tjera rrugore, gjatë kohës së qarkullimit të Papës nëpër Shkup. Apelojmë deri te qytetarët për durim dhe respektimin të sinjalizimit të vendosur dhe urdhrave që i japin nëpunësit policor”, thonë nga MPB
Omer XHAFERI
Shkup, 30 prill – Ardhja e Papa Françeskut në Shkup, më 7 maj i ka vënë në aksion të gjitha institucionet vendore, duke filluar nga ato lokale deri te Ministria për Punë të Brendshme. Para ardhjes së Papës në Shkup kanë mbetur edhe një javë, respektivisht Qyteti i Shkupit gjatë kësaj periudhe pritet ti përfundoj aktivitet e nisura javë më parë. Me qëllim që vizita e klerit më të lartë katolik në botë të kalojë siç duhet, gjatë ditëve të kaluara janë mbyllur shumë gropa, janë meremetuar disa rrugë dhe pastruar shumë të tjera. Prezenca e Papës me automatizëm nënkupton edhe rregulla të posaçme të sigurisë. Për këtë shkak, autoritet e shtetërore kanë vendosur që më 7 maj të ndërpritet i gjithë komunikacioni, i cili lëviz përgjatë qendrës kryesore të Shkupit, gjegjësisht pjesës së quajtur “Ringu i Madh”. Ndalesa për qarkullimin e automjeteve në këtë pjesë të kryeqyteti do të vlejë për ditën vizitës së Papës, e cila do të fillojë nga ora 6 e mëngjesit deri në ora 19 të mbrëmjes. Përveç automjeteve, rregullave të posaçme duhet t’ju nënshtrohen edhe këmbësorët, përfshi edhe rutën e cila do të lëviz nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit drejtë Qendrës dhe anasjelltas.
“MPB e mban të drejtën e ndalimit të komunikacioni në intervale të shkurta kohore, përfshi edhe asket tjera rrugore, gjatë kohës së qarkullimit të Papës nëpër Shkup. Apelojmë deri te qytetarët për durim dhe respektimin të sinjalizimit të vendosur dhe urdhrave që i japin nëpunësit policor”, thonë nga MPB. Edhe pse me 7 maj i gjithë kryeqyteti do të jetë nën masa të posaçme të lëvizjes, këto masa më tepër do ti ndjenjë qytetarët të cilët jetojnë përreth “Ringut të Madh”. Në njoftimin e autoriteteve shtetërore thuhet se nëse banorët e Qendrës së Shkupit, dëshirojnë ti përdorin veturat e tyre më 7 maj, duhet që një ditë më herët, gjegjësisht më 6 maj ti nxjerrin ato nga zona restriktive. Në rast se ato nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë automjetet e tyre do të mund ti marrin pasi të përfundoi regjimi i posaçëm në komunikacion.
Njëherësh, nga Trupi koordinues për vizitën e Papa Françeskut, kanë informuar se të gjitha vend parkimet në Shkup, nga ora 17:00, e 6 majit e gjatë gjithë ditës së vizitës së Papës, do të jenë pa pagesë. Mes tjerash, më 7 maj pa pagesë do të jetë edhe transporti publik në Shkup.
Duke synuar prezencën sa më të vogël të automjeteve në komunikacion, Trupi koordinues ka apeluar që të gjithë qytetarët e Shkupit, më 7 maj gjatë shkuarjes dhe ardhjes në punë ti shfrytëzojnë autobusët e transportit publik.
Ndryshe, sipas agjendës së paraparë, Papa Françesku më 7 maj, në mëngjes do të ketë takim me presidentin Gjorgje Ivanov, me kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa ora 11:30 do t’ju drejtohet të pranishmi në Sheshin Maqedonia në Shkup, më pas do të vizitoj shtëpinë e Nënës Terezë, në rrugën “Maqedonia”. Brenda kohës, ai do të takohet edhe me përfaqësuesit e bashkësive fetare në vend. (koha.mk)