Trajneri Christian Panucci ka dalë përpara medieve për konferencën e zakonshme për shtyp përpara sfidës ndaj Skocisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Italiani foli nga Shkodra, ku kuqezinjtë janë grumbulluar për përballjen e ditës së shtunë, ora 20:45.
Çfarë ka menduar Panucci për sulmin, si të shënojmë ndaj Skocisë?
Duhet të shënojmë, është e qartë. Në Izrael krijuam raste, por nuk shënuam. Do të isha më i shqetësuar nëse nuk do të krijonim. Personalisht kam menduar diçka, sepse duhet absolutisht ta fitojmë.
Si e pret këtë ndeshje?
Duhet të fitojmë me çdo kusht. Kërkoj vetëm ekuilibër nga skuadra. Nuk është detyra e kapitenit.
Grezda dhe Ndoj do të jenë gati?
Eshtë mirë, edhe pse është stërvitur veçmas. Donte të stërvitet, por nuk e lashë. Sa i përket Emanuele Ndoj, nuk do të jetë në dispozicion.
2018 ishte më i keqi për Shqipërinë në 10 vitet e fundit. Si e mendoni?
E vërtetë, ndaj duhet të përmbysim situatën. Megjithatë, përveç Kosovës dhe Ukrainës, që nuk dua të konsideroj, pasi ju shihni vetëm rezultatin. Ishim pak konkurrues. Në Norvegji e pësuam në goditje standarte. Me Izraelin bëmë gabime. Nuk është moment pozitiv.
E prisni që tifozeria t’iu shtyjë?
Ta shohim në ndeshje. Kam dyshime për formacionin. Fakti që tifozeria shkodrane do të jetë e shumtë, për ne është e rëndësishme.
Presidenti Duka iu ka vënë presion duke thënë se do të bëhet bilanci pas këtyre dy ndeshjeve.
Nuk e tha Duka, por gazeta.
A jeni nën presion?
Jo, nuk jam, edhe pse gazetat shkruajnë që jam.
Si mund të fitohet?
Duhet një gol më shumë, kaq.
A ka probleme komunikimi në ekip?
Eshtë e vërtetë që skuadra nuk komunikon shumë në fushë, ndaj duhet të përmirësohet. Nëse e bën, do të jetë më mirë për ne. Pres që djemtë të flasin më shumë dhe të ndihmohen më shumë, pasi kjo ka tepër rëndësi, edhe në lidhje me rezultatin.
Mungesa e Bashës dhe Hysajt si do të zëvendësohet?
Me dy lojtarë të tjerë. Formacionin do ta shihni në fushë, duke shpresuar që të mos gaboj.
E shihni si fatsjellës Loro Boriçin?
Jo, pasi me Italinë humba këtu. Uroj që këtë herë të na sjellë vërtet fat.
Skocia ka shumë mungesa gjithashtu…
Ne duhet të mendojmë për Shqipërinë. Kemi hedhur poshtë një grup. Në Izrael luajtëm mirë, por i falëm fitoren. Vërtet që qesh dhe bëj humor, por brenda kam zjarr. Duhet ta kuptojnë edhe djemtë këtë gjë.
Llogaritë në grup: mungojnë golat e shënuar. Të vjen keq që skuadra u dorëzua në Izrael
Jo, nuk u dorëzuam. Luajtëm mjaft mirë, madje shumë më mirë se ndeshjet e tjera. Problemi është se nuk e dërguam topin në rrjetë. Pastaj, golin e dytë e pësuam në të 90, autogol. Si u dorëzuam?! Pastaj, goli i parë i tyre ishte pozicion i parregullt.