Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, në përfundim të ndeshjes së barazuar me Jordaninë, komentoi ndeshjen për RTSH Sport, duke u ndalur sidomos te paraqitja e të tijëve: “Djemve nuk mund të kërkoj asgjë, sepse dhanë gjithçka. Më duket një mëkat që nuk fituam, sepse realisht meritonim. Jordania mendoi vetëm të qëndronte mbrapa dhe të mos pësonte. Në të tilla ndeshje bëhet e vështirë që të gjesh golin”.
Më pas, në lidhje me formacionin dhe gjendjen e të tijëve, u shpreh i shqetësuar: “Kemi disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë, të tjera që vinin nga një periudhë ku i mungojnë 90 minutat, ndërsa edhe në këtë takim Mihaj u dëmtua, Grezda mori goditje, ndërsa Gjimshiti nuk duhet të luante titullar, por doja që të luaja me 3 mbrapa, pasi nuk doja të lodheshin. Basha, Hysaj dhe Memushaj i ruajta për Izraelin, që është edhe ndeshja më e rëndësishme”.
Në lidhje me skemën që ndryshoi në pjesën e dytë, Panuçi tha: “Jo, nuk ndryshova gjë. Thjesht luajtëm më përpara në sulm. Sigurisht, skema ishte 3-5-2. Uzuni më pëlqeu, por duhet t’i japim kohë. Edhe Manaj luajti mirë. Si do të luajmë në Izrael? Të shohim…”.