Epidemiologu Taulant Muka shprehet se paniku që iu injektohet qytetarëve nga pasojat e koronavirusit, është i patolerueshëm.
Ai tha këtë të hënë në emisionin “Quo Vadis” se vëmendja duhet të përqëndrohet tek ekonomia dhe zhvillimi social, ndërsa theksoi që duhen marrë masa në kontekst afatgjatë.
“Prandaj them që gjithçka duhet parë në kompleks, nuk duhet fokusuar vëmendja në Covid, duhet fokusuar tek ekonomia, te zhvillimi social, arsimi i fëmijëve, pra duhen marrë masat në kontekst afatgjatë. Unë besoj që paniku që po hapet është i patolerushëm, nuk ka të bëjë fare me principet që ne mësojmë për shëndetin publik, principet kryesore janë, informim, krijo besim te qytetarët, qëndro transparent dhe gjithmonë përhap pozitivitet. Shëndeti publik është për të parandaluar efektet anësore, nuk është për të krijuar efekt anësore, është shumë e rëndësishme që ndëkohë në fillimet e epidemisë u kapën të papërgatitur dhe për më tepër Shqipëria që vuan edhe nga niveli i ulët akademik, universitar etj etj, mund të ketë pak eksperiencë dhe mund të lejohej në fillimet e saj, edhe pse unë mendoj që duhej evituar, sot është e patolerushme që të rrezatojmë panik.”
Muka përçoi një mesazh në veçanti edhe për personazhet publike:
“I bëj thirrje të gjithë personave publikë të rrezatojnë pozitivitet, të jenë transparentë me atë që komunikojnë, të qetësojnë popullatën pasi nuk ka nevojë të jemi të frikësuar, pasi frika vret edhe më shumë.”