Paniku ka mbërthyer të mërkurën takimin e ministrave të Jashtëm të G7-s në Londër, pasi që ministri i Jashtëm indian dhe i gjithë ekipi i tij i janë nënshtruar vetizolimit shkaku se dy anëtarë të delegacionit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
India, vend ky që aktualisht po përballet me valë brutale të përhapjes së pandemisë, është pjesëmarrëse e takimit treditor që konsiderohet si mundësi për rishikimin e diplomacisë dhe rivlerësimin e politikave të Perëndimit karshi kërcënimeve nga Kina dhe Rusia.
Një zyrtar britanik ka konfirmuar dy rastet pozitive në mesin e delegacionit indian, dhe për pasojë i gjithë ekipi ka hyrë në vetizolim 10-ditor.
Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, kishte përshëndetur me grushte pjesëmarrësit në takimin e mbajtur nën masa të ashpra kundër COVID-19, shkruajnë mediat e huaja.
Rezultimi pozitiv i zyrtarëve indianë është konfirmuar në ditën kur India ka shënuar numrin më të lartë ditor të vdekjeve nga COVID-19.
Pas 3 mijë e 780 vdekjet gjatë 24 orëve të fundit, India përbën tani gjysmën e rasteve me koronavirus në gjithë botën. Vala e infektimeve të reja ka rënduar gjendjen nëpër spitalet indiane, të goditura nga mungesa e theksuar e oksigjenit. Rëndimi i këtillë i gjendjes me pandeminë në vend konsiderohet të jetë si pasojë e neglizhencës së Qeverisë, si dhe e festivaleve fetare e tubimeve politike të mbajtura së fundi me praninë e një numri të madh njerëzish.