Nuk ka ndonjë paralajmërim se mund të ketë mungesë të ndonjë kulture bujqësore, prandaj duhet që edhe bujqit, por edhe qytetarët të jenë të qetë. Por ajo që paraqitet problem në këtë periudhë është edhe bora që këtyre ditëve ka rënë në vendin tonë
Urim HASIPI
Tetovë, 25 mars – Barnatoret bujqësore janë të furnizuara me fara, fidanë, pesticide e kështu me radhë për nevojat e bujqve. Por, bujqit në anën tjetër gjithnjë e më pak blejnë. Pas situatës së krijuar me virusin Covid 19, bujqit nuk dëshirojnë të bëjnë investime në bujqësi duke mos patur orientim të qartë se sa do të zgjasë një gjendje e këtillë. “Kishim planifikuar që të mbjellim si zakonisht, dhe përgatitjet e para i kemi bërë, por tash i kemi ndërprerë të gjitha aktivitetet bujqësore. Kemi frikë që investimi të mos na shkojë kot, prandaj edhe pak do të presim, më pas do të shohim”, thotë për gazetën KOHA, Dauti, një bujk nga Tetova.
Këtë qëndrim e kanë edhe nëpër barnatoret e qytetit, prej nga thonë se edhe pse janë të furnizuar me të gjitha farat apo fidanët që i kërkojnë bujqit në këtë periudhë, megjithatë shumë pak blejnë. “Njerëzit janë të frikësuar, nuk dinë se si do të veprojnë. Kanë porositur më herët farë për patate dhe farë tjetër, por nuk vijnë që t`a marrin, nuk mbjellin. Koha tashmë kalon për disa fidanë, të cilët do të duhej të ishin mbjellur. Megjithatë një pjesë e madhe nuk shiten, presim të shohim se si do rrjedhë situata më tej”, thonë nga barnatorja bujqësore Agro Kalishta në Tetovë.
Nga Agjencia për përkrahje në bujqësi, njësia rajonale në Tetovë, thonë se nuk ka nevojë për panik. Ata kërkojnë që bujqit të mos kenë frikë, por me rëndësi është që toka të punohet.“Nuk është diçka problem që të sigurohen fara, fidanë apo fara të ndryshme, qoftë me shumicë, qoftë me pakicë. Duhet që çdo bujk të bëjë planifikime, pra edhe nëse bëhet fjalë për bujq që mbjellin vetëm për nevojat e veta, apo edhe për ata që mbijetojnë përmes bujqësisë”, thotë Petre Petrevski, nga Agjencia për përkrahje në bujqësi, njësia rajonale në Tetovë.
Ai më tej thotë se nuk ndonjë paralajmërim se mund të ketë mungesë të ndonjë kulture bujqësore, prandaj duhet që edhe bujqit por edhe qytetarët të jenë të qetë. Ndryshimi i temperaturave në këtë periudhë mund të ketë efekt negative ndaj pemëve dhe perimeve, të cilët sapo kanë filluar të çelin. Më vështirë është për ata të mbjellura, të cilët janë nëpër serra dhe janë mbjellë më herët, por që rrezikohen të dëmtohen nga këto temperatura të cilat këtyre ditëve kanë përfshirë jo vetëm rajonin e Pollogut. Agronomi Xheladin Nuhiu nënvizon se përderisa temperaturat akoma janë mbi zero gradë, kjo nuk mund të ketë shumë ndikim, por rreziku ekziston nëse temperaturat fillojnë të ulen më shumë. “Ngricat e hershme vjeshtore dhe ato të vonshme pranverore ndikojnë negativisht në kulturat bujqësore, në veçanti në pemëtari, por edhe tek perimet. Pra, ndikojnë në rritjen e rendimeve bujqësore dhe me këtë rast ekzistojnë forma të ndryshme të mbrojtjes nga ngricat, në veçanti kur kemi ulje të temperaturave nën zero gradë”, thotë Xheladin Nuhiu, agronom. Ai më tej nënvizoi se në rajonin e Tetovës ka shumë pak sisteme që mbrojnë kulturat bujqësore dhe të tjerat gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, këto sisteme duhet më shumë të praktikohen nga ana e bujqve që të mund të mbrojnë prodhimet nga këto temperatura. (koha.mk)