Situata është katandisur keq, në zgjedhjet lokale u përkrahën ish të akuzuarit e BDI-së, tash po falen kokat e të inkriminuarve…duket se Zaevi po rezulton i hutuar nga barrat e pushtetit, pasi ende nuk dua të besoj që ky njeri i cili erdhi me aq bujë, ka humbur arsyen nga kurthi i joshjes së pushtetit!
Nga Dr.Arben TARAVARI
Këto ditë, a thoni se nuk pritej, ndodhi një nga ato aksionet dramatike, plot material për popullin që të jetojë të paktën nja 2 javë me thashetheme, duke u hutuar kështu dhe duke e harruar realitetin e errët ku ndodhet aktualisht. Ngjarja e çuditshme që e “tronditi” shtetin ishte ikja e ish-kryeministrit Nikollë Grueski për në Hungari.
Për një mendje më të fokusuar në manevrat politike kuptohet qartë se një lëvizje e tillë pritej prej kohësh prej ish-kokës së VMRO-së, mirëpo pushteti me zëdhënësit e tij e plasoi në “Pazarin Popullor” shkurt “Pa-Po” si një surprizë…që ka fajtorët e saj! Pavarsisht se Nikolla ishte numri 1 në listën e LSDM-së si abuzuesi më i madh me shtetin e me pushtetin, papritur një Shenjë Besimi u shfaq në zemrat revolucionare-evropiane (këto dy koncepte janë armiq të njëri-tjetrit), pra në sytë e vet z.Zaev dhe të znj.Sheqerinska i shumëakuzuar Nikolla, u lejua të lëvizte i lirë…
Ata justifikohen në pengesat ligjore dhe në mos-funksionin e disa institucioneve, a thua se janë në Opozitë dhe jo pikërisht në krye të shtetit për të zgjidhur problemet e tij! Sa për ikjen e Nikollës mungonte vetëm ceremonia përcjellëse. Ai deklaroi vet se tashmë ndodhet në Hungari. Kurse këtu në Maqedoni shpërthyen barcaletat dhe braktisja e fajit. Askush nuk doli të na sqaronte se si ndodhi që një njeri jo kushdo si Gruevski, një ish-kryeministër me rekorde të rënda nuk kqyrej të paktën në liri?!
Është njësoj si të kesh kuptuar që natën arën ta vjedh dikush, ditën t’ia thuash e ta akuzosh, ta lajmërosh se të nesërmen do e rrahësh se tash ke pak punë, e t’i thuash: tash shko fli gjumë e hajde nesër në 11 paradite para fshatit që të të rrah… Kjo është situatë qesharake, ashtu si dhe Amnistia e Grueskit është pagëzuar me termin Arratisje… Ajo ç’ka është më shqetësuese është kjo strategjia e filluar nga qeveria Zaev, që sapo ka ardhur në pushtet, bën lloj-lloj manovrash, për të arritur qëllime të caktuara, që kryesisht kanë të bëjnë me mbajtjen e pushtetit në duart e tyre.
Manovra të cilat po bëhen kaq haptazi sa po na ofendojnë inteligjencën! Nikollë Grueski nuk u arratis, ai u amnistua. Deri në momentin që nuk ka asnjë person të akuzuar e arrestuar si fajtor për ikjen e njërit prej figurave më të rëndësishme të gjyqit politik, si është Grueski, atëherë kemi të drejtë të plotë të mendojmë se ky individ është falur! Se për cilin qëllim dhe me çfarë të drejte nuk e dimë, sepse transparenca e z.Zaev me popullin që e votoi, është ZERO! Nëse amnistia e Nikollës ka qenë pjesë e paktit me ata deputetë që befasuan me votën e tyre Për ndryshimin e emrit, është totalisht e padrejtë. Parimisht dhe ligjërisht është e pasaktë! Por ashtu si vet z.Zaevi këshillon, le të presim çfarë do ndodhë në ditët në vazhdim, pavarësisht që jam shumë skeptik që do ketë ndonjë zhvillim që do na ndryshojë konsideratën për këtë qeveri e cila po ha atë që ka pështyrë!
Populli është shndërruar në një Marionetë në duart e saj që mori besimin në emrin e “Një jete më të mirë” e ka sjellë një jetë edhe më të vështirë. Situata është katandisur keq, në zgjedhjet lokale u përkrahën ish të akuzuarit e BDI-së, tash po falen kokat e të inkriminuarve…duket se Zaevi po rezulton i hutuar nga barrat e pushtetit, pasi ende nuk dua të besoj që ky njeri i cili erdhi me aq bujë, ka humbur arsyen nga kurthi i joshjes së pushtetit! Ndërkohë që të gjithë kanë material për të ushqyer jetët e uritura që na ofron ky shtet, derisa të dalë ndonjë gjoja “çudi” tjetër…
Më kujtohen arenat romake ku Perandori ftonte popullin dhe i hutonte me cirk e bukë që ata të harronin varfërinë në të cilën jetonin. Fenomeni quhet Panem et Circenses, kam folur veçanërisht për këtë strategji, e cila fatkeqësisht ndodh kaq shpesh edhe tani në kohë revolucionarit evropian z.Zoran Zaevit (theksoj që Evropa dhe Revolucioni nuk shkojnë bashkë). Të shohim cili do jetë cirku i radhës, ndoshta Grueski si çdo emigrant do tentojë të bëjë sa më shpejt bashkimin familjar…do ishte pjesë kllounatës që mban gjallë Cirkun!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)