Urim HASIPI
Tetovë, 21 mars – Në qendër të Tetovës, para pallatit të kulturë, është promovuar kopshti vertikal City Tree. Bëhet fjalë për panel inovativ të kopshteve vertikale me myshqe dhe bime vaskulare që thithin pluhurin dhe neutralizojnë dioksidin e karbonit dhe do të jetë në funksion të pastrimit të ajrit. Me këtë rast, në këtë inaugurim ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë, Christine Althauser, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe përfaqësues të Shoqatës “Eco Svest” nga Shkupi, të cilët janë edhe ideatorë të këtij projekti.
“Ne bashkëpunojmë në shumë sfera, gjithashtu edhe në mbrojtjen e ambientit, siç është ky projekt që e kemi vendosur në Tetovë dhe kjo paraqet në një mënyrë simbolike edhe ngritjen e vetëdijes që qytetarëve për mbrojtjen e ambientit. Ne do të vazhdojmë edhe më tej të mbështesin këto projekte. Kur flasim për bashkëpunimin, në veçanti dua ta theksoj bashkëpunimin në mes Ambasadës dhe Komunës së Tetovës. Pra, këtu janë të përfshirë edhe shoqata dhe kompani, dhe një projekt mund të realizohet nëse të gjithë punojmë së bashku. Po ashtu, një projekt të këtilla do ta inaugurojmë edhe në Shkup”, tha ambasadorja e Gjermanisë, Christine Althauser.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se paneli i vendosur do të kontribuojë në pastrimin e ajrit.“Bëhet fjalë për një panel që luan rolin e pastruesit të madh të ajrit. Dëshiroj që të falënderoj ambasadoren e Gjermanisë, e cila ka qenë një përkrahëse e madhe e qytetit dhe qytetarëve të Tetovës. Ne jemi përballur me të gjitha problemet që 20 vjet nuk kanë qenë të zgjidhura në këtë qytet. Duke filluar nga uji, duke pasur ajër më të mirë dhe duke punuar vazhdimisht me stacionin e ngarkim shkarkimit që do të jetë një projekt modern për të cilin janë ndarë mjete dhe besoj se edhe ky problem do t`i takojë së shkuarës”, tha Arifi. Krahas Ambasadës dhe Komunës, po ashtu, këtë projekt e kanë përkrahur edhe shumë kompani private si Ecolog, Knauf Elegant, Pro Credit Bank, Vezë Sharri dhe të tjera.
“Ne si Ecolog International dhe familja Destani,gjithmonë kujdesemi për problemet me të cilat shoqëria apo komuniteti ballafaqohet në vendin tonë, rajon dhe më shumë. Duke qenë se Ecolog është kompani globale, në filozofinë tonë të përgjegjësisë shoqërore, vend të rëndësishëm zënë edhe objektivat e Mileniumit, si platformë e Kombeve të Bashkuara, ku zhvillimi ekologjik i qëndrueshëm është një nga shtatë shtyllat bazike të saj, një problematike që kësaj here i qasemi bashkë me Ambasadën gjermane”, tha Pranvera Kasami nga Kompania Ecolog. Ky projekt i realizuar në Tetovë është i mirëpritur edhe nga Shoqata “Eco Guerilla”, e cila u shpreh se ky është një hap drejt ruajtjes së ambientit, por institucionet lokale dhe ato shtetërore duhet të punojnë edhe më shumë për një ambient të pastër.
“Është një gjë pozitive sigurisht, është zbutje e problemit të ndotjes dhe ne jemi më shumë të interesuar për të ndaluar ndotjen që mos të ndodh, që mos vijë deri tek nevoja për të instalaur kështu gjërash siç është City Tree. Sigurisht është diçka pozitive, megjithatë duhet të mbjellim më shumë pemë të cilat fatkeqësisht në Tetovë dhe rrethinën e saj masakrohen çdo ditë”, tha Arjanit Xhaferi nga Eco Guerilla. Qëllimi i City Tree është që sadopak të ulë ndotjen në qytetin e Tetovës dhe efekti i saj krahasohet me mbjelljen e 275 pemëve. (koha.mk)