Shkup, 5 qershor – Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll sot (e hënë) në stadiumin “Telekom Arena” do të zhvillojë ndeshje kontrolluese kundër përfaqësueses së Turqisë. Kapiteni dhe futbollisti më i mirë i verdhekuqve thotë se ai dhe shokët e tij nuk do të mbrohen në këtë ndeshje dhe se do të japin më të mirën nga vetja.
“Mua, por edhe bashkëlojtarëve të mi gjithmonë na vjen mirë kur luajmë kundër më të mirëve. Turqia është përfaqësuese shumë e fortë, ka ardhur me formacion të plotë, mirëpo sigurisht se ne nuk do të mbrohemi. Patjetër të mbajmë ritmin gjatë gjithë 90-të minutave dhe të jemi të fokusuar”, thotë Pandev, duke vijuar. “Atmosfera është e shkëlqyer, shumë pozitive dhe gjithë me padurim presim fillimin e ndeshjes. Presim mbështetje të madhe nga tribunat. Të gjithë ne ndjejmë një energji pozitive kur luajmë për përfaqësuesen, kjo ndjenjë është shumë e fortë edhe te Turqia, mirëpo në futboll beteja zhvillohet në teren. Pas himnit nuk ka lodhje. Shkojmë për të dhënë më të mirën”, deklaroi për faqen zyrtare të FFM-së, Goran Pandev.
Ndërkohë, ashtu siç ishte paraparë, Turqia në këtë ndeshje do të jetë me formacionin e saj më të mirë, pasi seleksionuesi Fatih Terim ka grumbulluar yjet si Arda Turan, Emre Mor, Burak Jëllmaz, Enes Unal, Junus Mali dhe shumë emra të njohur. Ndeshja Maqedoni – Turqi do të zhvillohet në ora 19.45. (koha.mk)