Këtë vit shifrat e aksidenteve dhe viktimave mund të shënojnë rënie ngase shumë pak mërgimtarë kanë vendosur që të kthehen në vendlindje gjatë muajve të verës, për çka ka edhe shumë pak automjete në rrugët e dy qyteteve të Pollogut
Urim HASIPI
Tetovë, 25 korrik – Kufizimi i lëvizjes së lirë në muajin prill për shkak të pandemisë së virusit Covid 19 ka dhënë efekte në shifrat që kanë të bëjnë me aksidentet e trafikut dhe kundërvajtjet në komunikacionin rrugor. Shifrat tregojnë një ulje drastike të numrit të shqiptimit të dënimeve ndaj vozitësve, krahasuar me vitin e kaluar. Ajo që bie në sy në këtë drejtim është se ka tre viktima më pak në aksidentet e trafikut në gjashtë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me 6 mujorin e vitit 2019. Gjatë gjashtë muajve të kaluar në rajonin që mbulon Sektori për punë të brendshme në Tetovë, gjithsej janë regjistruar 3556 kundërvajtje në komunikacion. Kjo sipas Policisë së Tetovës është për tetë mijë kundërvajtje më pak se të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Nga policia e Tetovës njoftojnë se mbi 2600 kundërvajtje janë regjistruar në rajonin e Tetovës, ndërsa mbi 940 në rajonin e Gostivarit. “Për këto kundërvajtje janë përgatitur 2448 padi për kundërvajtje, dhe 1738 fleturdhëresa për pagesë të dënimit. Po ashtu janë regjistruar edhe 5344 kërkesë për inicim të procedurës kundërvajtëse për kaq kryerës të kësaj vepre”, njoftojnë nga policia e Tetovës.
Si zakonisht, shumica e kundërvajtjeve në komunikacion kanë të bëjnë me mos përshtatjen e shpejtësisë me kushtet në rrugë. Por, nuk mungojnë as dënimet ndaj vozitësve që drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit. “Shumica e kundërvajtjeve të konstatuara në gjashtëmujorin e parë ose 849 kundërvajtje janë regjistruar për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet në rrugë, ose vozitje mbi shpejtësinë e lejuar. Tek 387 vozitës është konstatuar se drejtojnë automjetin nën ndikim të alkoolit. 171 vozitës nuk ka mbajtur kahjen e duhur në rrugë, 74 nuk kanë respektuar përparësinë e kalimit”, thotë zëdhënësi i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Krahas kësaj që ka më pak dënime ndaj vozitësve, po ashtu policia e Tetovës ka regjistruar edhe më pak aksidente rrugore në rrugët e Pollogut, gjatë gjashtë muajve të parë. “Gjatë gjysmëvjetorit të parë të këtij viti, po ashtu janë shënuar 54 aksidente më pak se vitin e kaluar, apo 365 gjithsej. Prej tyre, 258 në Tetovë dhe 47 në Gostivar” pohojnë nga Policia e Tetovës. Po ashtu është përgjysmuar edhe numri i viktimave në aksidentet e trafikut në rrugët e Pollogut, në krahasim me vitin e kaluar. “Gjithsej gjatë gjashtë muajve të kaluar janë regjistruar katër viktima në rajonin që mbulon Sektori për punë të brendshme në Tetovë. Prej tyre, tre viktima kanë humbur jetën në rajonin e Tetovës kurse një në rajonin e Gostivarit. Në periudhën e njëjtë, gjatë vitit të kaluar, ishin regjistruar 7 viktima”, njoftojnë nga Policia e Tetovës.
Shifrat që tregojnë për më pak aksidente, për më pak kundërvajtje dhe më pak viktima në gjashtë muajt e parë në rajonin e Pollogut kanë të bëjnë me kufizimet e lëvizjes së qytetarëve, sidomos gjatë orës policore në muajin prill. Ndryshe, ky rajon është arenë e aksidenteve, sidomos gjatë muajve të verës, kur dyfishohet numri i automjeteve në rrugë. Por, këtë vit shifrat e aksidenteve dhe viktimave mund të shënojnë rënie ngase shumë pak mërgimtarë kanë vendosur që të kthehen në vendlindje gjatë muajve të verës, për çka ka edhe shumë pak automjete në rrugët e dy qyteteve të Pollogut. (koha.mk)