Dibër, 1 qershor – Në Komunën e Dibrës, tre muajt e fundit në kohë të pandemisë janë regjistruar aktivitete joligjore në sferën e ndërtimeve, por është prezent edhe uzurpimi i tokës në pronësi të shtetit. Dukuria na fjalë është shqetësuese për çka ka patur edhe një takim mes përfaqësuesve të institucioneve kompetente me qëllim që të ndërmerren aktivitete në përputhje me ligjin.
Në takimin në të cilin kanë marrë pjesë kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, kryeshefi i OPM në Dibër, Arben Dumani, prokurori publik Nehat Croj dhe përfaqësues të inspektoratit komunal, Ana Alizoti dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera kompetente, është biseduar rreth shkeljet ligjore në fushën e ndërtimit të objekteve pa leje, si dhe fenomeni i uzurpimit të tokave në pronësi të RMV-së dhe komunës Dibër. Në kumtesën që dha pushteti vendor thuhet se është konstatuar se në Dibër janë prezente të dy fenomenet, të cilat janë konstatuar nga inspektori komunal – ndërtimi pa leje dhe uzurpimi i tokës shtetërore në pronësi të shtetit dhe komunës.
Në këtë drejtim u vendos që me një bashkëpunim të ngushtë në mes komunës dhe organeve kompetente, të merren të gjitha masat ligjore për zhdukjen e këtij fenomeni i cili kohën e fundit ka marrë përmasa duke shfrytëzuar edhe krizën me Covid-19. Po ashtu, nga ky takim është bërë edhe apel që qytetarët të bashkëpunojnë për luftimin e kësaj dukurie, kurse ata të cilët kanë bërë shkelje ligjore, të vetëdijesohen dhe të respektojnë të gjitha vendimet të cilat i sjell inspektorati për ndërtim, në të kundërtën – do të ndërmerren masa më ekstreme siç është prishja e objekteve pa leje dhe sanksione të tjera që kanë të bëjnë me këtë vepër penale. Inspektorja komunale Ana Alizoti na deklaroi se ndërtime pa leje janë regjistruar sidomos në tre muajt e fundit në disa pjesë të qytetit, por edhe në bregun e liqenit të Dibrës. Po ashtu ajo ka theksuar se tani më prezent është edhe uzurpimi i tokës në pronësi të shtetit, situatë e cila kërkon një aktivitet ligjor nga të gjithë organet kompetente. (koha.mk/V.S)