Pandemia rrezikon paqen në botë

17

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se pandemia e COVID-19 jo vetëm që kërcënon rezultatet në luftimin e varfërisë globale dhe ndërtimin e paqes, por rrezikon të përkeqësojë konfliktet ekzistuese dhe të nxisë të reja.

Shefi i OKB-së, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit, foli mbi vështirësitë e ruajtjes së paqes gjatë pandemisë, duke thënë dhe se thirrja e tij që më 23 mars për një armëpushim të menjëhershëm në konflikte në të gjithë botën, bëri që një numër i palëve ndërluftuese pushuan së luftuari. “Megjithatë, për fat të keq, në shumë raste, pandemia nuk i shtyu palët të pezullojnë armiqësitë ose të bien dakord për një armëpushim të përhershëm”, tha Guterres.

Sipas tij pandemia ka ngritur pyetje në lidhje me efektivitetin e sistemeve shëndetësore, shërbimeve sociale, besimin në institucione dhe sistemet e qeverisjes. “E gjithë kjo do të thotë që angazhimi ynë për të mbajtur paqen është më urgjent se kurrë”, tha ai.