E vetmja gjë pozitive që ka ndodhur gjatë krizës me virusin korona, është se është rritur mënyra e pagesës përmes kartelës në vend të asaj kesh. Sipas të dhënave zyrtare, në vendin tonë këtë vit blerjet online nga qytetarët janë rritur për rreth 141 për qind
Zenel MIFTARI
Shkup, 4 janar – Kriza e pandemisë me virusin korona, ka ndryshuar rrënjësisht edhe në mënyrë të përshpejtuar shprehitë e blerjes së qytetarëve në vendit tonë. Pandemia e COVID-19, ka nxitur qytetarët që të ndryshojnë mënyrën e tyre të blerjes së tyre nga ajo tradicionale në atë online apo përmes kartelave bankare. Pagesat përmes kartelave bankare në tregtinë vendore kanë regjistruar rritje të konsiderueshme prej rreth 40 për qind. Ekspertët e fushës, thonë se ky është një proces i cili duhet të ndodhë dhe si trend botëror nuk mund të ndalet në asnjë mënyrë. Sipas tyre, transformimi i plotë nga pagesa kesh në atë elektronike është vetëm çështje kohe se kur do të ndodhë. Siç ka deklaruar ish-guvernatori i Bankës Popullore, Ljube Trpevski, e vetmja gjë pozitive që ka ndodhur gjatë krizës me virusin korona, është se është rritur mënyra e pagesës përmes kartelës në vend të asaj kesh. Kjo sipas tij, është përparësi dhe gjë pozitive për ekonominë e vendit tonë.
“Sidoqoftë, ne jemi akoma larg vendeve si Lituania, Estonia, Suedia, ku pothuajse nuk ka asnjë pagesë kesh, por gjithçka është përmes kartelave bankare apo mënyra të tjera të pagesës ku nuk përdoret pagesa kesh. Mënyra e ndryshimit të pagesës dhe shitjes që kanë bërë qytetarët gjatë kohës së virusit korona, sigurisht që ka ndodhur për ta mbrojtur shëndetin personal dhe për ta parandaluar shpërndarjen e virusit korona”, shtoi Trpevski. Sipas tij, përfitimet e kësaj mënyre të pagesave janë zvogëlimi i kostove për përpunimin dhe ruajtjen e parave si dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga vjedhjet e mundshme të cilat ndodhin zakonshëm në vendin tonë.
Banka Popullore, ka sqaruar se ndryshimi i zakoneve në kushtet e pandemisë së virusit korona, përveç se ka rritur mënyrën e pagesës përmes kartelave bankare, ajo ka ndikuar bukur shumë edhe në blerjen apo porositë e qytetareve përmes internetit. Sipas të dhënave zyrtare, në vendin tonë këtë vit blerjet online nga qytetarët janë rritur për rreth 141 për qind. Rritje të konsiderueshme kanë pasur edhe transferimet e kredive në mënyrë elektronike, ku kanë shënuar rritje për 28 për qind gjatë të gjithë tremujorëve të vitit 2020. Sipas tyre, nga fillimi i krizës së virusit korona, qytetarët gjithnjë e më shumë kanë përdorur mundësitë e e-bank. Nga ana tjetër, nga Banka Popullore, thonë se kushtet e imponuara nga pandemia e COVID-19, kanë kontribuar në një ndryshim të shpejtë të zakoneve të qytetarëve. Nga Organizata e Konsumatorëve kanë apeluar deri te konsumatorët që të kenë kujdes sidomos gjatë blerjeve jashtë vendit. Ata bëjnë thirrje, që të kontrollohet se sa i plotëson ajo uebfaqe kushtet për shitje, gjegjësisht sa është reale firma dhe a ka selinë e saj, a ka telefon të kontaktit, a ka formular për kthimin e prodhimit, ndërsa qytetarët të kenë kujdes dhe t’i marrin parasysh përvojat e blerësve të tjerë me atë kompani të internetit. (koha.mk)