Gjatë vitit 2020 vendime për të shfrytëzuar këtë ndihmë për përkujdesje kanë dorëzuar për 455 persona. Në krahasim me dy vitet e kaluara, ky numër ka rritje meqë në vitin 2019 – numri ka qenë 436, kurse në vitin 2018 – vetëm 380. Sipas Mersimoskit, banorët e Dibrës dhe Zhupës faktikisht kanë kërkuar këtë të drejtë meqë po shtohet edhe numri i personave të cilët kanë nevojë për përkujdesje
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 janar – Në komunën Dibër dhe Qendër Zhupë po vërehet një rritje e theksuar e personave, të cilët marrin dhe kërkojnë ndihmë për përkujdesje. Kjo përkrahje sociale që u jepet personave në familje të cilët ndihmojnë anëtarët e familjes të pamundur apo të sëmurë, ka një rritje të dukshme, informojnë përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale në Dibër. Familjet dibrane, por edhe ata të Zhupës, në përputhje me Ligjin për mbrojtje sociale, kanë nisur me të madhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.
Sipas punonjësit social pranë Qendrës Ndërkomunale në fjalë, Ismail Mersimoski, gjatë vitit 2020 vendime për të shfrytëzuar këtë ndihmë për përkujdesje kanë dorëzuar për 455 persona. Në krahasim me dy vitet e kaluara, ky numër ka rritje meqë në vitin 2019 – numri ka qenë 436, kurse në vitin 2018 – vetëm 380. Sipas Mersimoskit, banorët e Dibrës dhe Zhupës faktikisht kanë kërkuar këtë të drejtë meqë po shtohet edhe numri i personave të cilët kanë nevojë për përkujdesje. “Shumë vite më parë, numri i vendimeve për ndihmë për përkujdesje ka qenë shumë i ulët. Rritja e numrit tregon se nga viti në vit shtohen personat që kanë nevojë për përkujdesje edhe atë jo vetëm persona të moshës së tretë, por edhe persona që kërkojnë përkujdesje për shkaqe të ndryshme shëndetësore”, thotë Mersimoski.
Përcaktimin e vendimeve për të dhënë ndihmë për përkujdesje e bëjnë anëtarët e një Komisioni të veçantë dhe normalisht duke shfrytëzuar edhe dokumentet e institucioneve shëndetësore. Të gjithë ata që marrin ndihmë për përkujdesje kanë edhe kontrolle të rregullta nga ekipet e Qendrës për Punë Sociale. Deri tani nuk janë regjistruar raste të keqpërdorimit të kësaj të drejte. Kur bëhet fjalë për ndihmën për përkujdesje, ajo shfrytëzohet si në qytet – ashtu edhe në fshatrat e të dy komunave.
Në Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër, e cila mbulon komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, vlerësojnë se duke marrë parasysh faktin se jetojmë në kohë të pandemisë, ku faktikisht kemi edhe rritje të numrit të personave që kanë pësuar nga virusi Kovid-19, gjatë vitin 2021 pritet vazhdimësi e rritjes së kërkesave për ndihmë të personave në nevojë. “Deri tani – në dy komunat në fjalë, nga fillimi i pandemisë janë regjistruar afër 700 raste pozitive me Kovid-19. Numri i personave që humbën betejën është afër 30, por njëkohësisht ka persona të cilët pas virusit po ballafaqohen me shumë probleme shëndetësore dhe do t’ju duhet edhe përkrahje sociale. Pikërisht ky vlerësim pritet të rris numrin të ndihmave për përkujdesje”, thonë në Qendrën në fjalë. (koha.mk)