Në kontaktet që kemi me mërgimtarët dibran në SHBA, të cilët siç thonë, me padurim prisnin sezonin veror, u informuam se mbetet që këtë verë – dyert e banesave të tyre në Dibër ti hapin vetëm të afërmit e tyre – vëllezërit, motrat, prindërit… edhe atë vetëm për ti ajrosur
Vjollca SADIKU
Dibër, 8 korrik – Për shkak të pandemisë, pjesa dërmuese e banesave që janë në pronësi të mërgimtarëve kanë mbetur të mbyllura. Dyert e këtyre banesave nuk u hapën meqë të gjithë rezervimet që kanë patur mërgimtarët dibran në SHBA për muajt qershor dhe korrik, janë anuluar. Dibra dihet tanimë se, për shkak të migrimit masiv – është një qytet sezonal, por këtë vit as sezoni nuk e ringjalli Dibrën për shkak të prezencës së virusit Kovid -19. Mbi 70 për qind të banesave në ndërtesat kolektive në qytetin e Dibrës janë në pronësi të mërgimtarëve dibran. Pjesa më e madhe e tyre është e mërgimtarëve që sot jetojnë në SHBA, por ka edhe të mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë në shtete të Bashkimit Evropian dhe në shtetet skandinave. Edhe pse gjendemi në muajin korrik, rrugët e Dibrës nuk e kanë atë dinamikë dhe gjallëri që e kishin gjatë viteve të kaluara në kohë të verës. Këtë vit nuk u takuan me të afërmit e tyre të cilët jetojnë shumë larg vendlindjes dhe familjes. Në bisedën që patëm me pronarët e agjencive turistike në Dibër, u informuam se nuk dihet as ardhja e mërgimtarëve gjatë muajit gusht. Ata thonë se gjithçka varet nga dinamika e virusit të rrezikshëm.
Në kontaktet që kemi me mërgimtarët dibran në SHBA, të cilët siç thonë, me padurim prisnin sezonin veror, u informuam se mbetet që këtë verë – dyert e banesave të tyre në Dibër ti hapin vetëm të afërmit e tyre – vëllezërit, motrat, prindërit… edhe atë vetëm për ti ajrosur. Suzana Musai, e cila para disa vitesh ka blerë banesë në qendër të qytetit të Dibrës dhe që jeton në Arizona të SHBA-ve, thotë se ka patur shumë dëshirë që si gjithmonë – edhe këtë verë me familjen e saj ditët e pushimit ti kalojë me të afërmit e saj në vendlindje. Në kontaktin që patëm nëpërmjet telefonit, të pranishme ishin emocionet e Suzanës. “Kishim shumë plane dhe ëndrra për këtë verë. U përgatitëm tërësisht për ardhjen meqë edhe biletat i kishim rezervuara për muajin korrik. Megjithatë, pandemia na i ndërpreu edhe kontaktet me vendlindjen dhe të afërmit. Ajo është prezent këtu në Arizonë, por edhe tek ju”, na thotë bashkëbiseduesja e jonë. Shpresojmë se një ditë do të tejkalohet edhe ky problem me virusin e rrezikshëm, vazhdon ajo, të përfundojë dhe të mund të vijmë në Dibër. Pothuajse të njëjtin mendim dhe shpresë kanë edhe mërgimtarët tanë që jetojnë në Itali.
“Kishim rezervim me aeroplan për të ardhur në vendlindje në muajin qershor. Pandemia e bëri të vetën. Ne jemi mirë si familje, por në shtetin italian pati shumë viktima nga Kovid-19”, thotë Osman Opre, i cili jeton në qytetin e Bolzanës. “Banesa e ime meqë ngela në Itali, si duket këtë verë nuk do të hapet. Dëshira e madhe për të ardhur në vendlindje, tek familja ime ishte edhe e fëmijëve, të cilët për çdo verë vizitojnë Dibrën. Jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë”, thotë Osmani dhe shton se një ditë do të vizitojë vendlindjen.
Para një dekade, mërgimtarët dibran që jetojnë në botën e jashtme filluan masoviksiht të blejnë banesa në ndërtesat kolektive. Qëllimi i tyre gjithmonë ka qenë të mbajnë relacionin me vendlindjen, familjen dhe të afërmit e tyre. Përcaktimi për të ble banesa dhe jo shtëpi individuale ka qenë për shkak të sigurisë dhe kujdesit më të vogël, meqë në disa periudha ka patur edhe aktivitete të hajnave të cilët sidomos gjatë periudhës 1999-2010, dëmtuan ca shtëpi të mërgimtarëve. Pikërisht kjo situatë detyroi që të njëjtit të përcaktohen për blerjen e banesave e jo shtëpi. Edhe pse mërgimtarët nuk jetojnë në Dibër, rregullisht paguajnë mirëmbajtjen e sipërfaqeve kolektive në banesa nga këshillat e banesave dhe shpeshherë investojnë në rregullimin e oborreve të banesave, rregullimin e çative dhe mirëmbajtjen të përgjithshme të banesave. Edhe në ndërtesat kolektive që janë duke u ndërtuar në Dibër, sipas investitorëve, mbi 60 për qind të tyre tani më janë paguar dhe faktikisht janë blerë nga ana e mërgimtarëve. (koha.mk)