Dibër, 10 prill – Gjatë vitit 2020, i njohur si viti i pandemisë Kovid-19, të dhënat zyrtare të institucioneve thonë se ka një rritje të vjedhjeve në Komunën e Dibrës. Sipas Sektorit për punë të brendshme në Ohër, i cili mbulon edhe Komunën Dibër, vitin e kaluar janë regjistruar gjithsej 40 vjedhje të rënda dhe 12 vjedhje më të vogla. Pandemia nuk ka ulur numrin e vjedhjeve në Dibër, por përkundrazi, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar më shumë vjedhje krahasuar me vitin 2019, informon zëdhënësi i Sektorit për punë të brendshme në Ohër, Stefan Dimoski.
“Në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 52 vjedhje që në krahasim me vitin 2019, ka një rritje të lehtë të vjedhjeve në Komunën e Dibrës”, thotë Dimovski. Sipas tij, në vitin 2019 janë regjistruar gjithsej 50 vjedhje, nga të cilat 38 janë vjedhje të rënda dhe 12 vjedhje më të vogla. Dimovski informon se vjedhjet janë prezente edhe gjatë tre muajve të parë të këtij viti.
“Në periudhën janar-mars janë regjistruar 14 vjedhje edhe atë 12 vjedhje të rënda dhe 2 vjedhje më të vogla. MPB-ja ka ndërmarrë të gjitha aktivitete për zbardhjen e rasteve”, shprehet Dimovski. Vjedhjet kryesisht janë në dëmtime të pasurive në qytet, por ka raste të vjedhjeve edhe nëpër fshatra. Kundër personave të cilët kanë marrë pjesë në vjedhje dhe rastet janë zbardhur – janë ngritur padi në përputhje me ligjin. (koha.mk/V.S)