E ndodhur para dilemës: zgjedhjet apo shëndeti, politika parimore duhet të japë përgjigjen e duhur, duke ruajtur distancën jo vetëm fizike, por dhe etike në mes të interesave partiake dhe sigurisë shëndetësore të njerëzve
Nga Emin AZEMI
Derisa po shkruhet ky editorial, numri i të prekurve nga virusi korona në Maqedoninë e Veriut e ka arritur pikun – 127 të infektuar brenda 24 orëve të fundit, që është një thyerje rekordi që nga fillimi i pandemisë. Për pasojë, prej mbrëmë (enjte) ka filluar ora e tejzgjatur policore 80 orëshe, ndërkohë që vazhdon “ping-pongu” i gjuajtjes së fajësisë në mes të politikës dhe qytetarëve sa i përket shkaqeve të rikthimit të hovshëm të pandemisë në mjediset tona.
Askush nuk e ka menduar se do të kthehemi atje ku askush nuk do të donim të jemi dhe tani për tani kurrfarë vlere nuk ka debati se kush është fajtor, sepse gjithçka është vonë.
Çfarë dobie do të kishim nëse detektohet fajësia dhe a jemi mësuar ne të marrim mësime nga pësimet që na ndodhin?
Në radhë të parë, vet strukturat shtetërore që nga fillimi i pandemisë janë gjendur të papërgatitura në menaxhimin efikas të kësaj krize shëndetësore. Nëse kthehemi prapa dhe analizojmë hapat që ka ndërmarrë Qeveria teknike, do të vërejmë se kanë dominuar kryesisht masat restriktive, si pasojë e mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme për t’u përballur me pandeminë. Për një shtet që ka mungesë shtretërish, instrumente të domosdoshme mjekësore si dhe kuadër të mjaftueshëm, më e lehtë është të ndërmerr masa që janë më pak profesionale e më tepër jopopullore, që kufizohen me reduktimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Në instancë të fundit po del që edhe këto masa restriktive dhanë efektet e duhura, por nuk ka vend për rrahagjoksi qeveritare, siç po ndodhë aty këtu në disa shtete të rajonit, ku Edi Rama ishte gjithsesi më i zëshmi.
Të gjithë njerëzit që u mbyllën nëpër shtëpia nuk kishin ndonjë alternativë tjetër që t’i del përpara këtij virusi të neveritshëm, për arsye se para hundëve të tyre përplasej simbolika e urdhrit qeveritar : Rrini në shtëpi sepse nuk kemi shtretër, staf mjekësor e as barna për t’ju shpëtuar.
Ende pa u shpallur e mbyllur zyrtarisht beteja kundër pandemisë, politika vazhdon të luajë me huqet e saj skeçin e rishfaqur tash më disa herë më parë. Disa politikanë janë për urgjencën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, disa të tjerë janë për një logjikë tjetër, sipas së cilës shëndeti ka përparësi ndaj zgjedhjeve.
Edhe grupi i parë i politikanëve, edhe i dyti, mundohen ta kamuflojnë pikën fundore të teatralitetit tragji-komik, duke nxjerrë në pah gjoja altruizmin e shtirur që nuk zgjatë më shumë se ngjyra e një marrëveshje shpejt e shpejt midis palëve për të ndarë trofetë e radhës që prodhon pazari i politikës joparimore.
E ndodhur para dilemës: zgjedhjet apo shëndeti, politika parimore duhet të japë përgjigjen e duhur, duke ruajtur distancën jo vetëm fizike, por dhe etike në mes të interesave partiake dhe sigurisë shëndetësore të njerëzve.
Cila është më e rëndësishme: zgjedhjet apo shëndeti? (koha.mk)