Një ditë e rëndësishme te Juventusi. Mbledhja e aksionarëve u zhvillua sot në Torino, nën presidencën e Andrea Agnelli, pa pjesëmarrje fizike, sipas rregullave anti-Covid. Klubi bardhezi ka njoftuar se e mbylli vitin financiar më 30 qershor 2020 me një humbje prej gati 90 milionë euro, më shumë se dyfishi i humbjes së regjistruar në fund të vitit financiar 2018-2019.
“Mbledhja e aksionarëve miratoi pasqyrat financiare më 30 qershor 2020, të cilat u mbyllën me humbje prej 89.7 milionë euro”, – thuhet në njoftimin e “Zonjës së Vjetër”. Pati ndryshime dhe konfirmime në organin drejtues, me Fabio Paratici që ruan rolin e tij në krye të zonës së futbollit. Kontrata e tij do të skadojë qershorin e ardhshëm. I promovuar si drejtor i futbollit, Nicolò Cherubini raporton direkt te Paratici.
“Koordinimi i secilës zonë i është besuar një drejtori menaxhues, që raporton drejtpërdrejt te Kryetari Ekzekutiv, Andrea Agnelli: Fabio Paratici, për zonën e futbollit dhe Stefano Bertola, për zonën e biznesit”, – saktësohet në deklaratë. Federico Cherubini merr pozicionin e drejtorit të futbollit, duke raportuar direkt tek Fabio Paratici, i cili mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ekipin e parë.