Institucionet, ekspertët, studiuesit duhet të dalin të parët tani, dhe paralelisht me mjekët dhe personelin mjekësor të luftojnë si pandeminë e Kovid 19 ashtu dhe pandeminë e injorancës. Nëse kjo nuk pranohet se është kaq dramatike, atëherë lehtë do kthehemi tek situata e rreth një viti më parë. Atëherë nuk i besohej virusit, që sot po merr aq shumë jetë njerëzish. Kurse sot nuk do t’i besohet vaksinës, çka prapë do të sjellë humbje të madhe jetë njerëzish
Nga Nazim RASHIDI
Në kohën kur në Maqedoninë e Veriut ka numra rekord të infektuarish, por dhe raste vdekjesh nga Kovid 19, të mërkurën ishin 51, numri më i lartë i regjistruar për një ditë, diskutimi i radhës është nëse do merret ose jo vaksina. Jo vetëm aq, por edhe gjithë vorbulla e dyshimeve me tis mistike që ngjall frikë e dyshime, e që s’ka bazë të madhe. Sigurisht që diskutimi si thuajse një vit më parë është i mbushur me përplot konspiracione tani jo aq shumë për virusin por për vaksinat.
Do të ishte mbase një “shaka” nëse e gjithë çështja do të shihej si folklor modern për të parë se çfarë mund të bëjnë gojëdhënat, por çështja është tejet serioze sa nuk mundem e mos habitem pa fund kur në rrjetet sociale, sa herë që ka njoftime për situatën me pandeminë, ka shprehje të një mosbesimi të madh për situatën, masat dhe vaksinat. Reagimet janë nga shokante e deri vulgare, por që tregon një gjë, se një pjesë e madhe e njerëzve lexojnë e ndjekin vetëm frymën mosbesuese. E kjo është shqetësuese, sepse edhe virusi është këtu, tani edhe vaksina dhe mbase vjen dhe shpëtimi.
Por nëse për mosbesimin ndaj institucioneve mund të kem mirëkuptim, për shkak të gjithë kulturës korruptive dhe keqmenaxhimit që ka ndodhur me vite, nuk mundem të pranoj se virusi e pandemia ende merret me dyshime. Çështja mbase dhe duhet parë në dy segmente, ajo e veprimit të institucioneve dhe vetë virusi dhe vaksina si shpëtim.
Për të parën, me gjasë përherë do të ketë dyshime se si veprohet. Kjo jo dhe pa faj. Si të besojnë njerëzit kur ministrat e titullarët dalin e shpjegohen kur paralelisht po e njëjta qeveri dhe administratë është e përfshirë në skandale e afera të ndryshme. E fundit ajo me pasaportat dhe kartat e identitetit fals. Aq e tmerrshme është kjo, kur merr vesh se me dhjetëra vetë, kriminelë ballkanik, janë bashkështetas të tu, me identitete të rrejshme, kanë marrë shtetësinë aq lehtë dhe kjo është bërë nga vetë punonjës të policisë, sa njerëzit me të drejtë dyshojnë për çdo gjë. Kur në një prej institucioneve më delikate, më të rëndësishme dhe më jetike për vendin, ndodh krim e korrupsion me përmasa ndërkombëtare, pse kjo nuk ndodh dot edhe në segmente të tjera? Ose për ta vënë në kontekst të mosbesimit total me masat ndaj pandemisë, pse keqpërdorime, keqmenaxhime, nuk mund të ndodhin edhe me situatën me virusin, masat apo dhe vaksinat?
Sado të palidhshme me njëra-tjetrën, skandali me pasaportat false të kriminelëve ballkanik dhe pandemia, në esencë kanë veprimin e institucioneve dhe sidomos nocionin se këtu çdo gjë është e korruptueshme e si rrjedhojë vjen dhe frika se edhe përkundër fjalëve të mira, nuk do bëhet aq sa duhet, ose nuk po bëhet aq sa duhet rreth situatës me pandeminë.
Por thashë, kjo është njëra anë. Ajo e mosbesimit ndaj institucioneve. Dhe është aq e madhe, sa në një studim të Institutit për Dialog Strategjik, nga Londra, i bërë për Maqedoninë e Veriut disa javë më parë, sugjerohet se një nga përhapësit më të mëdhenj të keqinformimit ishte pikërisht qeveria, 25 për qind e të pyeturve mendojnë kështu.
Dakord, për mua kjo pjesë e tëra lidhet me imazhin që ka qeverisja. Por sa i përket pandemisë dhe vaksinave, ky studim ka gjithashtu shifra shqetësuese, që na nxjerr te elementi i dytë, mungesa e informimit dhe prirja që njerëzit më shumë t’i besojnë konspiracioneve, lajmeve të rrejshme dhe thashethemeve se sa fakteve shkencore. Studimi i përmendur, i para disa javëve, thotë se nga 1183 të pyetur, 80 për qind e tyre në Maqedoninë e Veriut të paktën një herë në javë janë përballur me informacion të rrejshëm ose të pasaktë për Kovid 19.
Ja edhe disa fakte se çfarë teorish kanë qarkulluar dhe njerëzit u kanë besuar me gjasë, edhe pse duken gati të pamundura.
43 për qind kanë dëgjuar se virusi është krijuar nga njeriu dhe pastaj është përhapur duke dalë nga laboratorët. 28 për qind kanë dëgjuar se bëhet fjalë për ndonjë ndërhyrje ndërkombëtare nga ndonjë shtet. 24 për qind se bëhet fjalë për ndërhyrje nga figura dhe organizata ndërkombëtare. 20 për qind se virusi është dënim nga zoti. Përqindja është më e vogël, 13 për qind e atyre kanë përmendur se virusi lidhet me politikanët vendas, organizatat apo figurat e fuqishme vendore.
Dhe vetëm 20 për qind në Maqedoninë e Veriut, nëse i besojmë studimit, kanë thënë se virusi është zhvilluar në mënyre natyrale, siç thotë dhe shkenca.
Këto qëndrime bashkë me mosbesimin ndaj institucioneve sjellin dhe krijojnë një pandemi tjetër, madje edhe më të tmerrshme, atë të injorancës. Dhe si rrjedhojë po i njëjti studim i Institutit për Dialog Strategjik, thotë se mbi 50 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, ose më saktë 55 për qind, gjasat janë se nuk do të pranojnë të marrin vaksinën kundër Kovid 19 nëse ju ofrohet. Sipas atyre që janë pyetur, 38 për qind mendojnë se vaksinat janë të pasigurta kurse 29 për qind mendojnë se ato nuk funksionojnë.
Asnjë nga këto konstatime nuk pranohet kaq prerë, ose për to nuk ka qëndrime të tilla nga institucione relevante dhe sërish prirja dyshuese, por edhe mospasja e njohurive se si funksionojnë vetë vaksinat sjell këtë situatë, që edhe përkundër përpjekjeve, nëse njerëzit si marrin vaksinat, do dalë se pandemia edhe gjatë do jetë mes nesh.
Një mjek, në një nga intervistat për edicionet informative, kishte thënë se njerëzit lexojnë dhe se rrjetet sociale përhapin shumë njoftime për virusin e vaksinat, por kryesisht dominojnë vetëm njoftimet negative, dyshuese madje dhe të pavërtetat, por jo edhe ato që flasin për përfitimet apo dhe të mirat që sjellin vaksinat. Por çështja është çdo bëhet më tej? Nëse presioni rritet ndaj qeverisë dhe me të drejtë pse nuk u siguruan vaksinat më shpejt, duket se ka një drejtim të zhdrejtë me dëshirën për tu vaksinuar dhe më shumë me informacionet që merren rreth situatës.
Ajo që është e qartë është se institucionet, ekspertët, studiuesit duhet të dalin të parët tani, dhe paralelisht me mjekët dhe personelin mjekësor të luftojnë si pandeminë e Kovid 19 ashtu dhe pandeminë e injorancës. Nëse kjo nuk pranohet se është kaq dramatike, atëherë lehtë do kthehemi tek situata e rreth një viti më parë. Atëherë nuk i besohej virusit, që sot po merr aq shumë jetë njerëzish. Kurse sot nuk do t’i besohet vaksinës, çka prapë do të sjellë humbje të madhe jetë njerëzish.
Sigurish kjo betejë bëhet dhe do jetë edhe më e vështirë, sepse nëse sëmundja mund të zhduket, mosbesimi ndaj institucioneve dhe qeverisjes do të vazhdojë. Për fat të keq ende s’ka vaksinë as për korrupsionin, as për keq qeverisjen dhe nëse dyshimet ndaj gjithçkaje do të kenë bazë këtu do dominojnë lajmet e rrejshme dhe konspiracionet të cilat janë më lehtë të besueshme, përballë punës së munguar, mungesës së përgjegjësisë, veprimit të institucioneve po edhe vetë mungesës të vaksinave.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)