Vjollca SADIKU
Dibër, 8 janar – Gripi sezonal është prezent në komunën e Dibrës por për shkak të simptomave të ngjashme me virusin Kovid-19 nuk mund të flitet për numra real të pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjeksore në institucionet shëndetësores. Këtë për KOHA e deklaroi epidemiologu Mentor Mela i cili është udhëheqës i njësisë të Entit për Shëndet Publik në Dibër. Sipas tij rastet e para të gripi sezonal janë regjistruar në fillim të muajit dhjetor.
Në kohën e pandemisë së koronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19, tashmë kanë filluar të shpërfaqen edhe simptoma të infektimeve me gripin sezonal, të cilat janë të ngjashme me koronavirusin, si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhimbje etj. Dibranët për shkak të pandemisë edhe në këtë moment kur është prezent edhe gripi sezonal shpesh herë nuk e kanë të qarët për shkak të simptomave të ngjashme a kanë probleme me virusin Kovid apo bëhet fjalë për virusin e gripit sezonal. Problem mbetet detektimi i saktë i virusit. “Gjatë një jave mesatarisht në Spitalin e Dibrës dhe tek mjekët amë, në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë regjistrohen nga dhjet raste të pacientëve të prekur nga gripi sezonal”, thotë epidemiologu Mentor Mela. Ai sqaron se brenda një muaji numri i këtyre pacientëve është afro 50. Por sipas tij ky numër nuk është real meqë një numër i theksuar i qytetarëve të cilët kanë simtomat në fjalë nuk janë paraqitur tek institucionet shëndetësore. Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me institucionet dhe jemi të mendimit se patjetër duhet të rritet vetëdija e qytetarëve që të mos përdorin medikamente pa konsultime me mjekët. Faktikisht një pjesë e pacientëve janë në huti se a kanë grip sezonal apo bëhet fjalë për simptoma të virusit Kovid-19, shprehet Mela.
Në krahasim me vitet e kaluara pikërisht për shkak të kësaj hamendje , numri i personave të regjistruar në institucione shëndetësore është shumë i ulët. Krahasuar me vitet e kaluara kur regjistroheshin edhe mbi 300 raste dhe Dibra ishte ndër komunat me numër më të madh të të sëmurëve nga gripi në vendin ton në krahasim me numrin e banorëve.
Në Entin për Shëndet Publik në Dibër informojnë se në këtë institucion kanë arritur 200 vaksina kundër gripit sezonal të cilat janë komerciale dhe po aq vaksina kanë arritur pa pages në Spitalin e Dibrës. Sipas institucioneve në fjalë vaksinat pa pagesë kanë përfunduar kurse vaksina komerciale ka akoma. Përndryshe sipas epidemiologut Mentor Mela javën e fundit ka edhe një rritje të numrit të personave që kanë dal pozitiv në virusin Kovid 19. Vetëm gjatë tre ditëve janë regjistruar afro 30 persona pozitiv dhe pjesa më e madhe e tyre është hospitalizuar në Kovid- Qendrën në Dibër që funksionon pran Spitalit të Përgjithsëm. Mela vlerson se rritja e numrit të pacientëve pozitiv me Kovid-19 është rezultat i mos respektimit të masave kundër Kovid -19.(koha.mk)