Kriza ekonomike e shkaktuar nga kriza shëndetësore e pandemisë ka dëmtuar mjaft ekonomitë e shteteve të rajonit. Humbje të vendeve të punës po tregohen në sektorë të ndryshëm
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 gusht – Kriza ekonomike e shkaktuar nga kriza shëndetësore e pandemisë ka dëmtuar mjaft ekonomitë e shteteve të rajonit. Në Maqedoninë e Veriut po shënohet rritje e prodhimit të brendshëm bruto prej vetëm 0.2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti. Gjithashtu, humbje të vendeve të punës në sektorë të ndryshëm. Miliona euro humbje tregojnë edhe sektorët e turizmit vendor, dhe sidomos kapacitetet turistike në Ohër dhe Strugë, ndërsa humbje të mëdha po shënohen edhe nga mosardhja e turistëve të huaj në Shkup dhe pikat e tjera turistike në shtet. Rënie ka shënuar edhe eksporti prej afër 24 për qind në katër muajt e parë të këtij viti.
Humbje të panumërta po shënon edhe sektori i tregtisë dhe shërbimeve si restorantet, butiqet, artaritë, dyqanet e teknikës së bardhë, mobileritë e kështu me radhë, si rrjedhojë e anulimit të dasmave dhe ardhjes në numër shumë të vogël të mërgimtarëve. Analizat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se prej fillimit të krizës korona dhe deri në muajin qershor, pa punë kanë mbetur afër 20 mijë persona. Njëherazi, analizat e Organizatës ndërkombëtare të punës tregojnë se afër 30 mijë të punësuar rrezikojnë vendet e punës si rrjedhojë e krizës ekonomike dhe financiare të shkaktuar nga Kovid-19. Në Maqedoninë e Veriut, më të ekspozuara dhe të prekura mbeten nëntë sektorë dhe atë veprimtaritë e shërbimit të ushqimit dhe pijeve, tregtia me pakicë, transporti tokësor, aktivitetet e magazinimit dhe ndihmës për transport, veprimtari të tjera shërbyese personale, prodhimi i produkteve ushqimore, ndërtimi i ndërtesave, aktivitetet e specializuara të ndërtimi dhe shërbime që lidhen me ndërtesat.
Të dhënat e fundit tregojnë edhe uljen e shitblerjeve të banesave, tokës bujqësore dhe ndërtimore, hapësirave afariste e kështu me radhë. Në tremujorin e dytë të këtij viti, në evidencën e kadastrës janë regjistruar 4.073 transaksione që është për 3.085 transaksione më pak në raport me tremujorin e parë të këtij viti. Në ndërkohë, vlerësohet se ekonomia kosovare është duke kaluar në turbulencën më të thellë që nga paslufta, për të cilën asnjëherë as ndërmarrësit, e as institucionet shtetërore nuk janë ballafaquar me këto probleme ku burimi kryesor i këtyre krizave është pandemia COVID-19.
EKONOMIA E KOSOVËS TKURRET PËR 5 PËR QIND
Rreth pesë mijë biznese pritet që të mbyllen dhe shuhen gjatë këtij viti në Kosovë si pasojë e pandemisë KOVID-19. Në gjashtë muajt e parë të vitit, apo sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga muaji prill deri në muajin qershor janë mbyllur zyrtarisht 150 kompani, që i bie mesatarisht nga dy biznese të mbyllen çdo ditë. Ministria e Financave të Kosovës, vlerëson se situata e krijuar nga pandemia me KOVID-19, në ekonomi do të shkaktojë tkurrje deri në 5 për qind. Kjo nënkupton se nëse Prodhimi i Brendshëm Bruto në vitin 2019 ka qenë në rreth 7.1 miliardë euro, atëherë është e pritshme që në vitin 2020 me një tkurrje ekonomike prej së paku 4 për qind, atëherë PBB, do të jetë rreth 6,8 miliardë euro.
Turizmi shqiptar mund të humbasë 3.5 milionë vizitorë të huaj dhe mbi 1.1 miliardë euro nga shpenzimet e munguara të tyre. Këto shifra mbështeten në skenarin bazë që parashikon për këtë vit Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit. Industria e turizmit zë një peshë të ndjeshme në ekonominë shqiptare të llogaritur në 21,2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbi të gjitha, vendi është mbështetur te ky sektor për rritjen ekonomike. Në 5 vitet e fundit, 1 në 4 vende të reja të hapura pune kanë qenë të mbështetura te turizmi. Ndërsa këtë vit gjysma e tyre mund të qëndrojnë të mbyllura, veçanërisht për stafin sezonal që punësohet gjatë sezonit veror. Dy goditjet e njëpasnjëshme në ekonomi, tërmeti i 26 nëntorit dhe kriza e Covid-19 e kanë zhytur Shqipërinë në minus ekonomik. Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën janar-mars, që rezulton me një tkurrje prej -2.5 për qind.
Ndërtimi është sektori kryesor që ka ndikuar në këtë rënie të ekonomisë, ku krahas masave të koronavirusit, ka ndikuar mbi të gjitha tërmeti, pezullimi i lejeve të reja të ndërtimit në tri qarqe, si dhe nisja e vonuar e procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit të kaluar. Kriza ekonomike ka përfshirë thuajse të gjithë degët e tjera të sipërmarrjes, me një ndikim të madhe edhe te tregtia dhe akomodimi, industria përpunuese dhe ajo prodhuese.
GJITHANDEJ MUNGOJNË TURISTËT
Në Malin e zi, sipas të dhënave zyrtare të statistikës në qershor të vitit 2020 janë regjistruar 35.310 më pak të punësuar në raport me muajin qershor të vitit të kaluar. Apo thënë ndryshe në qershor të këtij viti janë regjistruar 178.178 të punësuar, ndërsa në të njëjtin muaj në vitin e kaluar janë shënuar 213.488 të punësuar. Humbje të mëdha po tregon edhe sektori kryesor ekonomik malazias, ai i turizmit. Të dhënat tregojnë se në muajin qershor janë shënuar 56.84 mijë bujtje të turistëve që është për 91,4 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjysma e hoteleve në pjesën e bregdetit Adriatik që i takon Mali të zi, as nuk kanë hapur dyert e tyre për mysafirë për shkak se nuk kanë leverdi të punojnë për vetëm dhjetë për qind të turistëve që kanë ardhur për pushime.
Masat shtrënguese për hyrje për shtetasit e Kosovës, Maqedonisë së Veriut , Bosnje e Hercegovina kanë ndikuar dukshëm në uljen e numrit të turistëve të huaj. Analistët e Bankës austriake Raiffeisenbank Autria (RBA) fillimisht kanë vlerësuar se për shkak të krizës korona PBB kroate do të shënon rënie prej pesë për qind. Më vonë për shkak të humbjes së të ardhurave nga turizmi dhe ulje së eksportit kroat në Itali dhe Gjermani për shkak të recesionit, banka austriake ka ulur rënien e ekonomisë kroate në tetë për qind. Komisioni Evropian po parashikon lëvizjet edhe më pesimiste për ekonominë kroate si rrjedhojë e pandemisë . Nga Brukseli thonë se rënia ekonomike do të jetë bile 10.8 për qind e PBB-së.
Nga ana tjetër, uljen e madhe të vajtje-ardhje të turistëve të huaj e dëshmojnë edhe të dhënat për 19.315 udhëtarë në aeroportet kroate në muajin maj apo 98,3 për qind më pak se në të njëjtin muaj në vitin 2019, kur janë shënuar 1.115.680 udhëtarë. Në Kroaci, para fillimit të krizës ka pasur 134.717 të papunë, ndërsa deri me fillimin e muajit qershor, kjo shifër është rritur në 157.772 të papunë. Dëme ekonomike nga pandemia po shënohen edhe në Serbinë fqinje. Këmbimi tregtar serb në gjashtë muajt e parë të vitit kishte vlerën prej 18 miliardë dhe 543 milionë euro, që është për 7.7 për qind më pak në raport me te njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po shënohet e dhe përgjysmimi i ardhjes së turistëve të huaj. Enti i statistikave shpalosi se në muajin qershor është shënuar ardhja e 24 mijë turistëve të huaj që tregon rënie prej afër 87 për qind në raport me qershorin e kaluar. Njëherësh janë shënuar edhe 58.000 bujtje të turistëve të huaj apo 85 për qind më pak se në muajin qershor të vitit 2019. Në evidencën e shërbimit të punësimit në muajin qershor janë paraqitur 38.640 qytetarë, që është për 40 për qind më shumë se në muajin maj. Rritjen e papunësisë e tregojnë të dhënat se në muajin maj të këtij viti kanë kërkuar punë 26.453 persona të ri, ndërsa në muajin qershor të vitit 2019 kanë kërkuar punë 27.403 persona. (koha.mk)