Ministria e Ekonomisë paralajmëron shkurtim të të gjitha harxhimeve buxhetore që ajo i konsideron të panevojshme si dhe do të shkurtohen pagat në administratë me qëllim që të mund t’iu ndihmohet edhe atyre që kanë mbetur pa asnjë të ardhur
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 mars- Askush nuk do të mbetet i padëmtuar nga kriza, tani është kohë mbijetese, andaj në këto moment nevojitet që të kemi mjete për likuiditet në buxhetin e shtetit, të paguajmë obligimet si dhe të ndihmojmë rimëkëmbjen e ekonomisë dhe biznesit duke i ofruar mbështetje për të disponuar me para të gatshme. Kjo ndër të tjerash theksohet në intervistën e ministres së Financave, Nina Angellovska në intervistën javore për radio Evropa e Lirë. Sipas saj, do të shkurtohen të gjitha harxhimet e panevojshme buxhetore si dhe do të shkurtohen pagat në administratë me qëllim që të mund tu ndihmohet edhe atyre që kanë mbetur pa asnjë të ardhur.
Sipas saj , është mjaft vështirë të parashikohet se sa do të jetë kostoja e kësaj krize për ekonominë e shtetit. Ministria e Financave po bisedon edhe me të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare ku do të përgatitet analizë nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndikimin e kësaj krize ndaj ekonomisë, që të mund të shikohet se sa do të jetë ndikimi i saj në sektorë dhe industri të ndryshme.
“ Është joserioze dhe mjaft e vështirë të përflitet për shifra prej 500 milion apo një miliardë euro e kostos ekonomike. Ajo që është evidente, ne së pari kemi zgjedhur shëndetësinë, apo të ndërmarrim masa për parandalimin e zgjerimit të virusit, mirëpo edhe kjo nënkupton vetëm hapjen e çezmës në ekonomi”, shton më tej Angellovska.
Në skenarët e Ministrisë së Financave në vazhdimisht po ndryshohet situata. Sipas skenarit më optimist nga ky dikaster, goditja më e madhe ndaj të hyrave në arkën e shtetit do të jenë në tremujorin e dytë apo nga muaji prill deri në muajin qershor. Edhe në këtë skenar theksohet se në tremujorin e dytë apo nga muaji korrik deri në shtator do të kemi stabilizim të caktuar , megjithatë edhe të përfundojë kjo krizë në tremujorin e dytë, sërish nuk mund të pritet që menjëherë ekonomia të fillojë të funksionojë si më parë, për shkak se kjo do të kërkojë një periudhë të caktuar.
Në skenarin e dytë vlerësohet se goditja pritet të jetë më e fuqishme në tremujorin e dytë dhe të ketë një goditje më të butë në tremujorin e tretë dhe të katërt, kur edhe do të fillojë stabilizimi apo rikuperimi ekonomik. Në skenarin më pesimist, që edhe nuk larg realitetit, nëse shikohen parashikimet globale dhe botërore, kjo krizë do të zgjasë deri në fund të këtij viti, ndërsa rikuperimi apo ringjallja do të fillojë në vitin 2021. “Në këtë moment ne nuk po flasim se kush do të jetë përfitues dhe kush do të fitojë, por flasim për tejkalimin e situatës, me qëllim që dëmet të jenë sa më të vogla, që të gjithë të humbim sa më pak, për shkak se nuk ekziston dikush që do të dalë fitues nga kjo krizë, thotë në intervistën për Evropën e Lirë, numri një i financave në vend, Nina Angellovska.
Lidhur me shkurtimet në harxhimet e buxhetit, ajo thotë se çdo që është në funksion të menaxhimit të krizës, nuk mund të jetë objekt i shkurtimit , duke filluar nga shëndetësia dhe siguria , ndërsa duhet të sigurohen edhe mjete minimale për çdo qytetar, të rrjedhë mbrojtja sociale me qëllim që të mbrohet çdo qytetar për të mbijetuar.
Me fjalë të tjera gjendemi në një situatë kur të gjithë duhet të mbajmë barrën njësoj, të gjithë duhet të jemi solidar në këtë situatë, real dhe të vetëdijshëm shton ajo.
Lidhur me shkurtimet, ato do të realizohen çdo kund ku ka mundësi, dhe atë jo vetëm harxhimet e rrugës, por edhe të mallrave dhe shërbimeve të caktuara, shërbimeve të caktuara kapitale si blerja e pajisjes, licencave, softuerit. Pra çdo gjë që nuk ndërlidhet direkt dhe në mënyrë thelbësore me luftimin e koronavirusit mund dhe duhet të jetë objekt i shkurtimit të mjeteve.
Shkurtimet kanë të vetmin qëllim, që të mbrojmë çdo vend pune, që çdo kush të ketë mjete për mbijetesë dhe për të tejkaluar këtë situatë,të ruajmë në radhë të parë likuiditetin e buxhetit për të paguar obligimet dhe të mbrojmë likuiditetin e ekonomisë që më vonë duhet të rimëkëmbet dhe të vazhdojë të mbushtë “gypin”, që të mund të vazhdohet më tej dhe të rrjedhë normalisht edhe ana dalëse e buxhetit, shpjegon disa nga hapat e ekzekutivit për të përballuar krizën ekonomike dhe shëndetësore, ministrja e financave, Angellovska. Ajo shton më tej se nuk dihet se a do të mjaftojnë 600 milion euro huazim i paralajmëruar deri në fund të vitit, për shkak se kjo varet nga realizimi i mundshëm i të tre skenarëve. Mirëpo duke pasur parasysh edhe pasqyrën globale, ajo vlerëson se këto mjete do të jenë të mjaftueshme.
Njëherazi skenarët që bëhen do të japin edhe përgjigje për nevojën më të madhe për servisimin apo pagesën e obligimeve nga ana e shtetit, dhe për hyrjen shtesë në borxh. Nuk është tani në moment çështje e fokusit apo prioritetit, se sa do të jetë i madh apo sa do të rritet borxhi publik, për shkak se edhe një Gjermani tani më nuk po flet për deficit, ndërsa edhe BE thotë se limitet që i ka vendosur nuk vlejnë në këtë situatë.