Pançevskit i ngushtohet rrethi

Omer XHAFERI

Shkup, 8 tetor – Krahas hetimeve, të cilat Prokuroria Speciale Publike i ka filluar ndaj ish kreut të Gjykatës Penale të Shkupit (GJPSH), Vlladimir Pançevski, nesër, sipas paralajmërimeve – edhe një pjesë e gjykatësve të cilët punojnë në këtë Gjykatë, do të kërkojnë inicimin e procedurës për llogaridhënie nga ish-kryetari Pançevski, shkruan gazeta KOHA. Kërkesat e tyre, pjesa dërmuese e gjykatësve që punojnë në GJPSH, siç raportojnë mediat e vendit, në formë peticioni pritet t’i kërkojnë ushtruesit aktual të detyrës kryetar i kësaj gjykate, Stojançe Ribarev, të dhëna dhe informacione nga puna kur me këtë instancë gjyqësore ka udhëhequr gjykatësi Vlladimir Pançevski. Brenda javës, e cila pason, edhe zyrtarisht duhet të dihet forma përmes të cilës “gjykatësit e anashkaluar” në GJPSH, do të kërkojnë llogaridhënie nga ish kryetari i tyre, gjegjësisht gjatë ditëve në vazhdim duhet të sqarohen dilemat se kërkesa e gjykatësve do të shkojë në mënyrë kolektive, ose çdo njëri individualisht do të parashtrojë pyetje për aktivitetet dhe punën e ish kryetarit dhe kolegut të tyre për momentin – gjykatësin Pançevski. Të dhënat e publikuar për zhvillimet në GJPSH thonë se “gjykatësit e anashkaluar”, do të kërkojnë edhe informacione nga bastisja e PSP-së që ndodhi javën e kaluar, përfshi edhe kontrollin nga hetuesit e kësaj në shtëpinë e ish kryetari të GJPSH-së, Pançevski. “Gjykatësit janë të interesuar se çfarë lloj të keqpërdorimit ka bërë Pançevski gjatë kohës kur ka qenë kryetar i kësaj gjykate. Flitet se pikërisht gjatë dy viteve të tij si drejtues i GJPSH-së, ai e ka penguar punën e PSP-së, si dhe ka intervenuar në sistemin elektronik të shpërndarjes së lëndëve, gjegjësisht lëndët gjyqësore i ka dhënë dorë më dorë, respektivisht kjo mënyrë e funksionimit të dhënies së lëndëve thuhet se ka vazhduar edhe pas largimit të tija nga posti i kryetari të gjykatës”, thonë burime brenda Gjykatës Penale të Shkupit, sipas të cilëve, revolta e gjykatësve është shtuar më tepër pasi ka zëra se Pançevski i ka incizuar vendet e tyre të punës. Në kuadër të kërkesës, e cila përgatitet të dorëzohet deri te u.d kryetari Stojançe Ribarev, thuhet se do të kërkohet që ky i fundit – para Këshilli Gjyqësor të Maqedonisë, t’i dorëzohen të gjitha të dhënat që i posedon e që lidhen me punën e paraardhësit të tij. Ndryshe, një Komision i Ministrisë së Drejtësisë, ekipe të policisë dhe hetues nga PSP, të enjten e kaluar edhe zyrtarisht me urdhra gjyqësor u futën në Gjykatën Penale të Shkupit. Përveç autoriteteve nga Ministria e Drejtësisë, të cilët kontrollin e sistemit elektronik të shpërndarjes së lëndëve gjyqësore paralajmëruan më herët, MPB dhe prokurorët special si cak patën zyrën e gjykatësit Pançevski, ndaj të cilit në prokurorinë e Katica Janevës, zhvillohet një procedurë para hetimore dhe me këtë rast – ish kryetarit të GJPSH-së, ju konfiskuan të gjitha të dhënat nga sistemi kompjuterik i tij dhe dy personave tjerë të punësuar në këtë gjykatë. Duke e arsyetuar këtë bastisje, nga PSP kanë njoftuar se ish kreu i GJPSH-së dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, respektivisht për zbulim të sekretit shtetëror, me këtë rast furnizim me informacione sekret personat të cilët kanë qenë objekt hetimi nga PSP. (koha.mk)