Shkup, 15 prill – Shoqata qytetare për kulturë dhe shkencë “Sulejmanie” në Shkup ka hapur sot Panairin e tetë me radhë në parkun e Komunës së Çairit, mbrapa marketit “Vero”. Panairi në fjalë ka karakter humanitar, ndërsa qytetarët do të mund të blejnë gjëra të ndryshme tekstili, ushqime dhe gjëra tjera të shumta me çmime mjaft të ulëta, ndërsa mjetet e grumbulluara shfrytëzohen për përkujdesin e nxënësve në konviktet e shoqatës “Sulejmanie”.
Ndryshe, Shoqata qytetare për kulturë dhe shkencë “Sulejmanie” prej vitesh funksionon në Shkup, Tetovë dhe qytete tjera, ndërsa ka një numër të madh të nxënësve të cilët strehohen, mësojnë dhe ushqehen në konviktet e shoqatës “Sulejmanie”.
Në këto konvikte, përveç mësimit të leximit të librit të shenjtë islam – Kuranit, mësohen edhe kurse të Matematikës, Gjuhës Angleze dhe kurse të tjera. Panairi në parkun e Çairit është i hapur nga ora 9 e mëngjesit deri në ora 21 të darkës, për disa ditë me radhë. (koha.mk)