Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk duket se do të mbahet sot, së paku jo me situatën dhe mospajtimet aktuale. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk do të mbahet për arsyen e thjeshtë që koalicioni më i madh në Kuvend, PDK-AAK-Nisma kanë vendosur ta bojkotojnë këtë seancë.
Burimet e TV Dukagjini nga LDK kanë thënë se nuk ka kuptim që të tentohet të mbahet seanca konstituive pa u konsultuar fillimisht me PAN’in si grupi më i madh i deputetëve në Kuvend. Ndërkohë, kryesuesi i seancës konstituive si deputeti më i moshuar, Adem Mikullovci, ka thënë se seanca sot do të mbahet, edhe pse mund të mos fillojë me kohë, por kjo nuk mund të bëhet pa praninë e deputetëve të PAN’it, të cilët e kanë mandatin për ta propozuar emrin e kreut të Kuvendit si subjekti fitues i zgjedhjeve.
Si anëtar i Vetëvendosjes, ai ka thënë se nuk e pranon propozimin e Kadri Veselit që VV ta votojë qeverinë e Haradinajt me kusht që Veseli të heqë dorë nga kandidimi për postin e Kryeparlamentarit. Tutje, ai u shpreh i gatshëm që si kryesues t’ia japë të drejtën PAN’it dhe subjekteve të tjera që ta caktojnë vet përmes konsultimeve orarin për vazhdimin e seancës. Ndërkohë, Bekim Haxhiu nga PDK e ka konfirmuar se deputetët e PAN’it nuk do të marrin pjesë në Kuvend.