Në Maqedoni ka edhe shumë punë për t’u bërë që gjuha shqipe të del nga kallëpet e politikës së ditës. Ajo, mbi të gjitha, ka nevojë për një trajtim më serioz nga gazetarët, studentët, politikanët dhe përgjithësisht nga intelektualët. Vetëm si e tillë, gjuha shqipe e arsyeton epitetin e të qenit guardian i identitetit kombëtar, sepse në të kundërtën mund të ndodhë që nëpër dyert e lëna shkretë të në hyjnë ndikime të ndryshme kulturore e gjuhësore, me në kosto shumë të lartë për vetë të ardhmen tonë
Nga Emin AZEMI
Shumë flitet për përpjekjet politike që shqipja të ketë status të barabartë të gjuhës zyrtare në Maqedoni, por fare pak flitet se cili është kujdesi ynë ndaj saj në komunikimin publik, në variantin shkruar apo të folur. Teknologjizimi i komunikimit tonë i ka dëbuar letrat nga kutitë postare dhe vendin e tyre e kanë zënë sms-të, të shkruar me një gjuhë të çrregullt dhe aspak në frymën e shqipes. Edhe e-letrat që i dërgojmë përmes postës elektronike vuajnë nga ngutia për të kapur termet kohorë, ndërkohë që arkivat e nesërme do të zbulojnë shkallë të lartë analafbetizmi kolektiv në kulturën tone të shkrimit.
Gjuha mësohet në shkollë dhe kultivohet në komunikimin e zakonshëm, qoftë në raporte private, apo shoqërore-publike.
Një gjuhë mund të konsiderohet e kultivuar vetëm atëherë kur përdoruesit e saj i respektojnë normat bazë mbi të cilën është ngritur arkitektura gramatikore-sinatksore i asaj gjuhe. Gjuha shqipe është mjaft e pasur, kurse kultura e përdorimit të saj ka qenë e lidhur me historinë e shkrimit.
Aktualisht përdoruesit e gjuhës shqipe nuk tregojnë ndonjë kujdes të duhur që ajo të trajtohet si një thesar që identifikon vlerat kulturore e shpirtërore të tyre. Pamjaftueshmëria e trajtimit të gjuhës shqipe edhe si aset kulturor, duke e reduktuar atë në teknikalitet burokratik, flet për vetëdijen e pamjaftueshme që kemi ndaj kësaj gjuhe. Kjo qasje ka ardhur parasegjithash si rezultat i mosimponimit të kulturës së gjuhës nga vetë ata që e shkruajnë në media, që e përdorin në institucione dhe që e mësojnë në shkollë.
Nëse vazhdojmë ta trajtojmë gjuhën shqipe si emergjencë burokratike, pa kujdesin që duhet treguar ndaj saj në planin e kulturës shkrimore e foljore, atëherë nuk mund të themi se po i arsyetojmë përpjekjet tona që po i bëjmë për avancimin e saj kundruall gjuhëve të tjera. Gjuha shqipe edhe në të kaluarën ka pasur peripecitë e saj, sidomos gjatë pushtimeve të huaja, por vetëdija e lartë kulturore e kombëtare e intelektualëve shqiptarë tejkalonte këto peripeci. Në këtë mënyrë gjuha shqipe arriti të bëhet kod unifikues i prirjeve të ndryshme fetare e krahinore të shqiptarëve, duke demonstruar para botës së qytetëruar një sens të zhvilluar të kujdesit ndaj asaj që një popull e bën të ketë identitet të vetin. Në Maqedoni ka edhe shumë punë për t’u bërë që gjuha shqipe të del nga kallëpet e politikës së ditës. Ajo, mbi të gjitha, ka nevojë për një trajtim më serioz nga gazetarët, studentët, politikanët dhe përgjithësisht nga intelektualët. Vetëm si e tillë, gjuha shqipe e arsyeton epitetin e të qenit guardian i identitetit kombëtar, sepse në të kundërtën mund të ndodhë që nëpër dyert e lëna shkretë të në hyjnë ndikime të ndryshme kulturore e gjuhësore, me në kosto shumë të lartë për vetë të ardhmen tonë. (koha.mk)