Viti 2019 e gjeti Maqedoninë të papërgatitur për ti filluar bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian, ndërsa zgjedhjet e vitit 2020 nuk pritet ta ndryshojnë këtë fotografi sa i përket trendeve të brendshme. Ligji i gjuhëve me rekomandimet e Komisionit të Venedikut do të jetë top për lojtarët e rinj të VMRO-së dhe LSDM-së. Nga ana tjetër, BDI dhe opozita shqiptare do të testohen pikërisht me këtë ligj
Destan JONUZI
Shkup, 1 janar – Zakonisht, fundviti në shtetet perëndimore duket ndryshe nga ajo që e shohim në Maqedoninë e Veriut. Një atmosferë pozitive nga të arriturat individuale përshkruhet nga suksesi nacional në ekonomi dhe në fushat e biznesit. Ndërsa në Ballkan, do të vërejmë një pamje tjetër ku njerëz të dëshpëruar nga ekonomia, politika, nepotizmi dhe korrupsioni që me vite nuk po gjejnë zgjidhje as nga shteti dhe as nga ndërhyrjet e jashtme, e rrumbullakojnë vitin e zymtë dhe të pasuksesshëm të banorëve të Maqedonisë së Veriut.
Për Maqedoninë, ky vit mund të vlerësohet i suksesshëm vetëm në planin e jashtëm duke e ndarë në dy linja kryesore: e para, ndërrimi i emrit të vendit nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut dhe e dyta – fillimi i procedurës së anëtarësimit të vendit në NATO, që tashmë është në fund të procesit. Ndërsa si nën kategori duhet parë datën e zhgënjimit të Maqedonisë nga Evropa për fillimin e bisedimeve. Në punët e jashtme, tabela nuk është aq bardhë sa që Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev e paraqet gjendjen. Refuzimi nga Bashkimi Evropian për dhënien e datës së fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ishte një goditje ndërkombëtare për Qeverinë e Shkupit, se data e shumë pritur nuk është afër dhe reformat e vërteta dhe serioze duhet të ndërmerren nga Qeveria.
Në fakt, Plani 3-6-9 u komentua si pozitiv dhe hap i duhur nga autoritetet e BE-së, por jo i mjaftueshëm për të bindur Brukselin dhe shtetet tjera anëtare të Unionit për dhënien e datës për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Nuk është kaq me shtetin e brishtë, në fakt, korrupsioni dhe migrimi masiv i të rinjve drejt Perëndimit u paraqitën si pasojë e politikës së deritanishme që nuk arriti të krijojë një të ardhme të sigurt për qytetarët e Maqedonisë. Rasti “Zhvatja” e uli kredibilitetin e Qeverisë së kryeministrit Zaev duke e barazuar qeverisjen e tij si korruptuese dhe me bazë të fortë të nepotizmit. Prokuroria Speciale Publike e mbështetur nga të gjitha partitë politike, ndërkombëtarët dhe me një buxhet të madh për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin – dështoi. Kryeprokurorja Katica Janeva vazhdon të jetë nën hetime me dyshime të keqpërdorimit të pozitës dhe përfshirjen e saj në rastin “Zhvatja”.
Viti që lamë pas e gjen Maqedoninë të papërgatitur për në BE, ndërsa zgjedhjet e 2020-ës nuk do të tregojnë ndonjë pamje tjetër për sa i përket zhvillimeve të brendshme. Ligji i gjuhëve me rekomandimet e Komisionit të Venedikut do të jetë top për lojtarët e rinj të VMRO-së dhe LSDM-së. BDI dhe opozita shqiptare do të testohen pikërisht tek ky ligj. Për më shumë, për derisa Maqedonia e Veriut bëhet gati për në NATO, në veri Serbia gjatë 2020-ës pritet të bëhet një mbështetëse e politikave ruse me reflektime në Maqedoninë Veriore. (koha.mk)