Ky pamflet politik fare nuk i përmend shqiptarët dhe rolin e tyre në funksionimin e këtij shteti të përbashkët. Ashtu siç u fshinë në kushtetutën zullumqare të 91-shit, njëjtë edhe ky pamflet politik i VMRO-së, vazhdon me injorimin e faktorit politik shqiptarë, i cili është shndërruar thjeshtë në një patericë politike për t’i realizuar ambiciet politike hegjemoniste, herë të LSDM-së, herë të VMRO-së. Atëherë pse u dashka që shqiptarët ta përkrahin këtë pamflet?
Nga Shaqir ISLAMI
VMRO-ja kalëron ende me nacionalizmin etno-shovinist të harxhuar nga dhëmbi i kohës. Kjo parti e prapambetur mendësisht e imponon në kuvend një dokument në formë rezolute, ku “do përcaktohekan vijat e kuqe” të shtetit të Maqedonisë Veriore në përpjekjet për ta arritur marrëveshjen e miqësisë me Bullgarinë fqinje, me kusht të vetëm që ta vazhdojë rrugën e integrimit në BE.
Vet toni i komunikimit politik të këtij pamfleti është agresiv dhe arrogant. Mendon njeri se këtë dokument e ka hartuar një superfuqi e Ballkanit dhe jo vendi ynë me muskulaturë të brishtë. Pa dashur çdo njeri i rëndomë e shtron pyetjen, pse ndodh ky komunikim politik qesharak me arrogancë dhe pa takt mirësjellje dhe nderimesh fqinjësh. Deri dje, Bullgaria ka pas një qasje shumë pozitive dhe një komunikim shumë dashamirës ndaj vendit tonë. Ndërsa komunikimi politik i vendit tonë ndaj tyre ka qenë denigrues dhe përbuzës. Vendi ynë gjithmonë ka llogaritur raportin e vet ndaj Bullgarisë me shumën e saj me Serbinë. Prej kësaj mendësie buron problemi i vendit tonë në raport me fqinjësinë e vet. Kësaj dukurie të komunikimit politik mes Bullgarisë dhe vendit tonë, Serbët e kanë një thënie shumë të qëlluar: “Ja te kërstim, a ti mi përdish”.
Bullgaria fqinje nga dita e parë e pavarësimit është munduar të na kryqëzojë, ndërsa elita politike maqedonase (jo klasa politike shqiptare) vazhdimisht i janë përgjigjur me një komunikim në formë pordhash jo mirënjohëse, jo fqinjësore dhe jo dashamirëse. Kjo është një dukuri politike e rrënjosur në mendësinë politike maqedonase. Prej, këtu buron ngatërresa e marrëdhënieve mes fqinjëve. Problemi kryesor është mendësia serbomadhe millosheviçiane që e mbizotëron dhe e sundon elitën politike maqedonase në vendin tonë.
Ajo që vërehet në këtë rezolutë, është problemi i ballafaqimit të kësaj elite politike serbomadhe me identitetin e dyfishte: hem serb, hem maqedonas. Kësaj duhet të vjen fundi. Ose je ky, ose je ai! Kjo elite hermafroditë këmbëngulë të ketë identitet të dyfishtë!
Kjo rezolutë, kumbon me një gjuhë e vrazhdë dhe urdhëruese! Nëse lexohet mëme vëmendje, vërehet gjuha e stërngarkuar me emocione, e që çon vetëm në qorrsokak të gjithë procesin e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për të dy palët.
Pamfleti-rezolutë e VMRO-së, ashtu siç është hartuar çon drejt qorrsokakut, si me Grekët! Kjo është edhe më shumë një ultimatum partive politike në vend që të mos shkohet në arritjen e konsensusit mes palëve. Për nga forma, ultimatumi i radhës e shprehur përmes një rezolute, synon ta mbajë peng kuvendin dhe të harxhohet më kot kohë dhe energji politike dhe sociale. Sipas, kësaj rezolute hileqare dhe jo dashamirëse për shtetin dhe qytetarët e vendit tonë, synohet humbje të kotë kohe me kuvendime boshe – në fjalorin politik quhet si filibuster – me fjalor politik etno-nacionalist të sundimit të regjimit të kushërinjve zullumqarë Gruevski-Mijallkov.
Kuvendi duhet ta heq qafe këtë lloj komunikimi politik shterpë. Për shkak të injorancës dhe padijes që e sundon përbërjen e kuvendit, ky lloj komunikimi politik është shndërruar në vlerë. Përkundrazi ky komunikim bosh vetëm harxhon energjinë politike dhe sociale në shoqërinë tonë. Realisht ky lloj komunikimi politik është rrahje e ujët në havan! Kuvendi punon në “ler” dhe mbytet nga retorika boshe etno-nacionaliste nga të gjitha palët. Filibuster shërben për ta mbajtur status quo-ne në shoqërinë tonë dhe t’i ngec proceset e zhvillimit dhe të fuqizimit të kohezionit social në shtetin tonë të përbashkët.
Kjo rezolutë është formë e njëjtë komunikimi siç ndodhte me mosmarrëveshjet me fqinjin jugor Greqinë. U tretën tre dhjetëvjeçarë kot na së koti! Dhe kujt i leverdisi kjo punë? Neve me siguri se jo! Kjo rezolutë e kthen komunikimin politik të ngarkuar me gjuhë emocionale, siç ndodhte me palën Greke. Me atë lloj komunikimi politik përfitojnë vetëm regjimet autokratike që e izolojnë vendin nga proceset e zhvillimit drejt integrimeve euro-atlantike.
VMRO-ja e bedelit politik Mickovski, synon ta sjell frymën nacionaliste të regjimit të kushërinjve zullumqarë politik. Edhe pse në këtë dokument përmenden autoritete si MANU, UKIM, dhe MPC ky dokument thjeshtë është një pamflet politik etno-nacionalist. Këto tituj të futur në këtë rezolutë vetëm përdoren për shkak të galvanizimit të autoritetit të këtyre institucioneve këtij pamfleti duke i shtuar peshë dhe të cilin Mickovski mundohet ta shes si memorandum kombëtarë. Dikur (1986) një dokument i këtillë u botua nga SANU dhe pasojat e saj janë të njohura në Ballkan.
Mickovski këtë pamflet politik përpiqet që ua imponojë dhunshëm edhe partive shqiptare në vendin tonë. Ky – duke urdhëruar dhe imponuar vullnetin e vet politik – aktron autokracinë e ‘pronarëve’ të vërtetë të partisë së vet, të cilët ende e prijnë partinë e VMRO-së nga larg me telekomandë dhe kjo rezolutë është në frymën e tyre të dikurshme. Mickovski vetëm ka për detyrë t’i ngec proceset e përparimit dhe t’i ndërpres proceset e integrimit euro-atlantik si dhe ta ndërpres çmontimin e aparatit të regjimit etno-racist. Dhe, asgjë të mirë nuk ka ndërmend të bëjë ky bedel që e kryeson atë parti.
Ky pamflet politik fare nuk i përmend shqiptarët dhe rolin e tyre në funksionimin e këtij shteti të përbashkët. Ashtu siç u fshinë në kushtetutën zullumqare të 91-shit, njëjtë edhe ky pamflet politik i VMRO-së, vazhdon me injorimin e faktorit politik shqiptarë, i cili është shndërruar thjeshtë në një patericë politike për t’i realizuar ambiciet politike hegjemoniste, herë të LSDM-së, herë të VMRO-së. Atëherë pse u dashka që shqiptarët ta përkrahin këtë pamflet?
VMRO nuk ka të drejtë morale të imponojë pamflete të këtilla që nuk përkojnë me frymën e kohës. Kjo parti duhet ta vejë gishtin kokës dhe ta ndryshojë mendësinë e vetë të prapambetur dhe pastaj të mund të kërkojë bashkëpunimin politik me shqiptarët, dhe jo ta përdorë gjuhën e drunjtë në formë të urdhrit!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)