Tiranë, 30 qershor – Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin shqiptar Edi Rama se edhe në këtë garë elektorale ku në shumicën e bashkive nuk ka kandidatë përballë atyre të PS-së, ka blerë vota, pwrcjellw KOHA.
Nënkryetari i partisë, Edi Paloka në një deklaratë për mediat nga selia e partisë ka shfaqur një video, ku sipas tij tregohet se jepen lekë për blerjen e votës, nga “një grup i strukturuar kriminal i PS-së dhe Bashkisë së Tiranës”.
Paloka tha se PD ka identifikuar një nga personat e përfshirë sipas tij në krim zgjedhor, Edmond Hajro, komisioner i PS-së tek njësia numër 9, është gjithashtu dhe administrator i një pallati i emëruar nga Bashkia e Tiranës.
Paloka bëri thirrje që qytetarët të bashkohen me personat e tjerë që po protestojnë pranë disa qendrave të votimit, përmes thirrjeve për të mos votuar. (koha.mk)