Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore nga Departamenti i Shtetit, Matthew Palmer po qëndron në Prishtinë, me ç’rast ka zhvilluar takime të ndara me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas një komunikate për media, e ka njoftuar zyrtarin amerikan se Kosova është e përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon.
“Kosova është e gatshme për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë dhe është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje të përhershme që forcon paqen në rajon dhe në tërë kontinentin e Evropës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa, Matthew Palmer, sipas të njëjtës komunikatë, rikonfirmoi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugëtimin evropian të Kosovës.
Presidenti Thaçi dhe drejtori Palmer vlerësuan se vetëm dialogu çon drejt stabilitetit rajonal dhe paqes afatgjate, si dhe mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve në rajon.
Më pas, ai është pritur edhe nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Në këtë takim, sipas një komunikate nga kabineti i kryeministrit, u bisedua për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e transformimit të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës, dialogun Kosovë – Serbi, si dhe aspekte që lidhen me sundimin e rendit dhe ligjit dhe proceseve të tjera të rëndësishme të integrimit euro-atlantik.
“Qytetarët dhe institucionet e Kosovës përherë janë falënderues për ndihmën e gjithanshme që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin SHBA-të, për Kosovën. Kosova është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të, njëkohësisht duke rritë konsolidimin e shtetit dhe duke forcuar agjendën e saj të integrimit euro-atlantik”, citohet të ketë deklaruar kryeministri Haradinaj.
Paraprakisht, Palmer ka vizituar edhe Beogradin.