Zëvendës-ndihmës Sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer, e ka takuar në Uashington ambasadoren e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë njofton se Irani dhe tryeza politike për realizimin e reformës zgjedhore në Shqipëri kanë qema qendrore të këtij takimi, i cili u zhvillua në prag të marrjes së detyrës së ambasadores Kim.
Ambasada, përmes një postimi në Twitter, njoftoi se qëndrimi i Shqipërisë ndaj Iranit është cilësuar i guximshëm dhe parimor, ndërsa marrëveshja ndërpartiake për reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR është cilësuar si lajm pozitiv.
“Zv.Ndihmës Sekretari Palmer u takua me Ambasadoren Kim për të diskutuar qëndrimin e guximshëm e parimor të Shqipërisë mbi Iranin & lajmin pozitiv mbi përkushtimin ndërpartiak për të realizuar reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, thuhet në postimin e ambasadës në Twitter.
Ambasadorja Yuri Kim, e cila dha betimin si ambasadore e SHBA-së në Shqipëri më 9 janar, pritet të arrijë së shpejti në Shqipëri.
Të mnërkurën, Shqiperia urdhëroi dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria: Mohammad Ali Arz Peimanematit dhe Seyed Ahmad Hosseini Alastit.
Sipas zërit të Amerikës, dy diplomatët dëbohen për aktivitete kundër grupit MEK. Atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike, kurse Mohamed Peimanemati ishte anëtar i njësisë Operacionale të inteligjencës së Iranit Mois dhe përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE-së.
Në një shkrim të Zërit të Amerikës thuhet se ata kishin qenë edhe bashkëpunëtorë të Kasem Solemanit.
Dëbimi i dy diplomatëve vjen pak ditë pas deklaratave të liderit suprem Ali Khamenei, i cili e cilësoi Shqipërinë si “vend të vogël dhe djallëzor”.
Kjo është hera e dytë që Shqipëria shpall persona të padëshiruar diplomatë iranianë. Në dhjetor të vitit 2018, autoritetet shqiptare dëbuan edhe ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia, së bashku me diplomatin e ambasadës Mostafa Roudaki.