Beograd, 28 maj – Serbia dhe Mali i Zi çdoherë do të jenë fqinj dhe duhet të gjejnë mënyrë t’i zgjidhin të gjitha çështjet në marrëdhënie partneriteti, deklaroi për Zërin e Amerikës i dërguari i posaçëm për Ballkanin, Metju Palmer.
Ai potencoi se Mali Zi ka të drejtë të vendos parametra për atë kush mund të hyjë në vend në pajtim me rekomandimet epidemiologjike.
“Porosia më e rëndësishme është se të dy vendet duhet të bisedojnë, qeveritë duhet të komunikojnë dhe duhet të kenë kanale të hapura për komunikim”, tha Palmer.
Ai shtoi se duhet të kujdesen për vendimet që mund të ndikojnë ndaj marrëdhënieve me fqinjin e rëndësishëm dhe si ato do të ndikojnë në sezonin veror turistik, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm e turistëve serb më ekonominë malazeze.
Ai për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës vlerësoi se në propozimin e Francës dhe Gjermanisë nuk ka asgjë befasuese.
“Nuk ka asgjë në atë propozim që është befasuese. Sinqerisht, kushdo që vendos diçka konstruktive në tryezë do të bëjë mirë. Ne dëshirojmë të shohim që çështja e formimit të qeverisë në Kosovë do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, të zgjedhim përfaqësues legjitimë që do të përfaqësojnë Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare dhe në dialog. Dhe le të shohim nëse mund t’i afrojmë Serbinë dhe Kosovën më pranë një marrëveshje normalizimi”, tha Palmer.
Diplomati amerikan për Zërin e Amerikës deklaroi edhe se SHBA-ja kupton disa nga argumentet e opozitës serbe se kushtet e zgjedhjeve nuk ishin të drejta, por vuri në dukje se zëri i tij do të dëgjohej më pak nëse largohet nga arena politike.
Ai shtoi se me rëndësi që misioni i OSBE-së në Serbi t’i vlerësojë kushtet për zgjedhjet.