Urim HASIPI
Tetovë, 13 janar – Gati se pesë vite me radhë Qendra për Kulturë në Tetovë ka problem me nxehjen qendrore, gjegjësisht mungesë të naftës për të mbajtur të ngrohtë ambientet e sallës ku mbahen evenimente të ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Pothuajse të gjitha aktivitetet që janë mbajtur në nëntor dhe dhjetorë, janë mbajtur në ambiente të ftohta, ose naftën e kanë siguruar vet organizatorët. Pikërisht në këto muaj ka edhe më shumë aktivitete që mbahen në qendrën për Kulturë në Tetovë. Sipas drejtorit artistik të Qendrës për Kulturë në Tetovë, Artan Arsllani, Ministria e Kulturës zakonisht ndan shumë pak mjete për naftë.
“Kur lëshohen mjetet, të njëjtat zakonisht i lëshojnë në muajin dhjetor, edhe atë në pjesën e dytë të këtij muaji, kur është e pamundur që të hapet tender, sepse procedura zgjat deri më 17 ditë dhe me këtë automatikisht hyjmë në vitin tjetër. Edhe kur lëshohen mjetet ato janë të pakta, gjegjësisht 5 mijë euro për nxehje dhe me këto mjete mund të mbulojmë maksimum 5 aktivitete që mbahen në pallat”, thotë për KOHA, Arsllani. Kjo nuk është hera e parë që ndodhën me nxehjen, por vite me radhë ky problem përsëritet dhe kur nevojat janë më të mëdha për naftë, e njëjta mungon.
“Ky problem përsëritet çdo vit, edhe pse nevojat për naftë janë më shumë gjatë muajve nëntor dhe dhjetor. Në muajin nëntor kemi shumë aktivitete, por të cilët kalojnë me ngrohje vetenake nga vet organizatorët, komuna, USHT apo ndonjë shoqatë. Në muajin janar nuk ka aktivitete, është paraparë vetëm një në fund të muajit. Eventualisht aktivitetet e para do të fillojnë në muajin Mars”, deklaroi për gazetën KOHA, Artan Arsllani, drejtor artistik i Qendrës për Kulturë në Tetovë. Ndryshe, brenda vitit në Qendrën për Kulturë në Tetovë mbahen më shumë se 100 evenimente të ndryshme. “Brenda vitit kemi rreth 100 aktivitete të ndryshme kulturore, apo me karakter tjetër. Kryesisht aktivitetet shtohet gjatë nëntorit, kur janë festat e nëntorit, të cilët organizohen nga komuna e Tetovës e cila siguron naftën. Po ashtu në dhjetor ka aktivitete edhe Universiteti i Tetovës që njëjtë siguron naftë për manifestime të ndryshme. Kurse në janar nuk ka kërkesa apo nuk janë paraparë aktivitete”, shprehet Arsllani.
Ndryshe, vite me radhë Qendra për kulturë në Tetovë, kishte të dëmtuar rrjetin e nxehjes qendrore, i cili u rregullua kurse tashmë përballet me problemin e mungesës së naftës. Po ashtu krahas kësaj, herë pas here ka edhe probleme me rrymën elektrike për shkak të borxhit ndaj EVN-së. Këtyre ditëve pritet që të dihet saktë se sa mjete për këtë vit do të ndahen për Qendrën për kulturë në Tetovë në bazë të programit të Ministrisë së Kulturës. Nga Qendra për kulturë shpresojnë që të rritet buxheti për këtë qëllim, sepse në të kundërtën sërish manifestimet dhe aktivitetet do të mbahen në ambient të ftohtë, ose vet ata që i organizojnë të sigurojnë naftë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.