Drejtori i Qendrës për kulturë, Artan Arsllani, thekson se për shkak të procedurave ligjore, rrezikohen një sërë aktivitete gjatë muajit nëntor. Ai tha se ka kërkuar takim me Ministrin e kulturës, Hisni Ismaili. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë nuk kanë qenë të gatshëm që të japin sqarime për këtë problematikë
Urim HASIPI
Tetovë, 6 nëntor – Qendra për kulturë në Tetovë edhe këtë vit mund të mbetet pa nxehje qendrore. Shumë aktivitete të cilët janë paraparë të mbahen gjatë muajit nëntor mund edhe të anulohen, ose të mbahen në ambient të ftohtë. Deri tek kjo situatë ka ardhur si pasojë e tërheqjes së mjeteve nga përmbaruesi për shkak të borxhit që Pallati i kulturës së Tetovës i ka Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë. Kjo e fundit ka bllokuar xhiro-llogarinë dhe përmes përmbaruesit ka tërhequr mjetet me vlerë rreth 600 mijë denarë, mjete këto të dedikuara për nxehjen qendrore. Drejtori i Qendrës për kulturë, Artan Arsllani, thekson se për shkak të procedurave ligjore, rrezikohen një sërë aktivitete gjatë muajit nëntor. Ai tha se ka kërkuar takim me Ministrin e kulturës Hisni Ismaili.
“Borxhi është ndaj NPK-Tetova dhe i njëjti është trashëguar nga viti 2015. Ne kemi patur një takim me drejtorin dhe u morëm vesh që të krijojmë një plan pagese, dhe unë e sigurova se nga Ministria e kulturës që një e katërta e borxhit të paguhet. Pres vetëm vendimin dhe do të merreshim vesh për pjesën tjetër si do të vazhdonte dinamika. Fatkeqësia ndodhi edhe ajo që urdhëresa nga ana e përmbaruesit erdhi pasi u morën mjetet. Ndoshta do të kishim gjetur një zgjidhje të përbashkët, por na gjeti të pa përgatitur. Do të shihet çfarë do të mund të bëjmë me ministrin e kulturës për të dalë nga kjo situatë, por gjithsesi se shumë vështirësohet shkaku i afateve ligjore, për shkak se ne nuk mund ta përshpejtojmë furnizimin me naftë”, tha Arsllani.
Ai është pyetur se a ka përgatitur plan të mëhershëm që të mos përsëriten problemet e viteve të kaluara me mungesën e naftës në këtë qendër të kulturës në Tetovë.
“Plan ka patur. Që kur kam ardhur unë këtu, jam marrë me borxhet që i ka patur ky institucion më herët, dhe unë u mora vesh që të presin, sepse edhe neve prisnim mjete nga Komuna e Tetovës për disa borxhe të trashëguar që më herët, por kjo që ndodhi pa njoftim e vështirëson shumë punën tonë, sepse duhet të bëhet një plan i ri se si sa më parë të gjendet zgjidhje, ndërkaq planet për nxehjen duhet të mendohen për një vit, dhe këto nuk mund të bëhen nga mjetet e brendshme dhe ishin planifikuar diku 1 milion denarë për këtë qëllim”, tha ai.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, nuk kanë qenë të gatshëm që të japin sqarime për këtë problematikë. Në ambient të ftohtë dhe pa nxehje janë mbajtur edhe dy aktivitete partiake gjatë ditës së diel. (koha.mk)