Palestrat sportive do të ndërtohen deri në vitin 2024

Nëse fillon ndërtimi i palestrës sportive në këtë fshat, atëherë kjo do të jetë salla e parë në Komunën e Tearcës që ndërtohet në kuadër të projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ndërtimin e 145 sallave sportive

Urim HASIPI

Tetovë, 13 shkurt – Deri në vitin 2024 duhet që të ndërtohen edhe disa salla sportive në Komunën e Tetovës, në Komunën e Vrapçishtit, Tearcës dhe Bogovinës. Në Komunën e Tetovë që vitin e kaluar ishin dërguar kërkesa në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për ndërtimin e sallës së sportit në shkollën “Migjeni” dhe “Kikish”. Premtimet kishin qenë se vitin 2020 të paktën një sallë sporti do të ndërtohet në Tetovë, por pandemia me corona virusin nuk mundësoi një gjë të tillë. Për ndërtimin e sallave të sportit këto dy shkolla fillore në qytetin e Tetovës kërkesat i kanë parashtruar që kur në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ishte Renata Deskoska-Treneska. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, për gazetën Koha, kanë bërë të ditur se një sallë sporti do të ndërtohet në kuadër të Shkollës fillore “Eqrem Qabej” në fshatin Sllatinë të Komunës së Tearcës. Sipas kësaj ministrie, salla e sportit në këtë fshat do të fillojë të ndërtohet pasi që Komuna e Tearcës të ketë siguruar tërë dokumentacionin për ndërtimin e saj. “Në fshatin Sllatinë të Komunës së Tearcës është paraparë që të ndërtohet sallë sporti me një sipërfaqe prej 650 metra katrorë. Ndërtimi i së njëjtës do të fillojë pasi që Komuna e Tearcës të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e saj”, deklaruan për gazetën Koha nga Ministria e Arsimit dh Shkencës.

Advertisements

Nga Komuna e Tearcës kanë theksuar se tashmë edhe në Këshillin komunal ka kaluar vendimi për ndërtimin e sallës së sportit në fshatin Sllatinë. Nëse fillon ndërtimi i palestrës sportive në këtë fshat, atëherë kjo do të jetë salla e parë në Komunën e Tearcës që ndërtohet në kuadër të projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ndërtimin e 145 sallave sportive në tërë vendin. Sipas kësaj ministrie, ndërtimi i këtyre 145 sallave duhet që të përfundojë në vitin 2024. Në ndërkohë, deri në ndërtimin e sallave tjera nëpër shkolla fillore në Komunën e Tetovës dhe komunave rurale, nxënësit e këtyre shkollave do të vazhdojnë të ndjekin orën e edukatës fizike në ambient të hapur apo në sallat e vogla që janë në brendi të objektit të ndërtuara dekada më parë, ku nuk ka kushte të mjaftueshme. Gjatë tre viteve të kaluara në Tetovë janë përuruar dy salla sportive në Tetovë, njëra në Shipkovicë kurse tjetra në Reçicë të Madhe. Në ndërkohë, ndër vite në Tetovë janë ndërtuar salla sportive në të gjitha shkollat e mesme të Tetovës, kurse mungojnë sallat sportive në vendbanimet rurale por edhe në vetë qytet. (koha.mk)