Gaza, 6 prill – Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes palestineze “Xhihadi islamik”, Zaid Nakia, u ka bërë thirrje autoriteteve izraelite, që në vazhdën e pandemisë së koronavirusit, ta heqin bllokadën shumëvjeçare të Gazës.
Ai paralajmëroi që Izraeli do të duhet të zgjedhë nëse të heqë bllokadën dhe të lirojë të burgosurit palestinezë ose të përballet me pasojat katastrofike të pandemisë Kovid-19.
Nakia u ka bërë thirrje autoriteteve palestineze që të marrin një qëndrim më të ashpër ndaj autoriteteve izraelite, të cilët me bllokadën e Gazës e bëjnë jetën të pamundur, sidomos në vazhdën e pandemisë.
Izraeli e mban nën bllokadë Gazën që nga viti 2006, ndërsa bëhet fjalë për një enklavë palestineze me të paktën dy milion banorë.
Në Gaza, 12 raste të infeksionit me koronavirus janë konfirmuar deri më tani.