Këshilli Federal i Federatës Italiane të Futbollit ka vendosur sot përjashtimin e Palermos nga Seria B, për probleme administrative, me klubin siçilian që ka falimentuar pak ditë më parë dhe është në pritje për të njohur pronarët e rinj.
Në vendimin e këshillit të FIGC u vendos që në vend të siçilianëve, në Serinë B të rikthehet Venezia, skuadër që u eliminua vetëm më 9 qershor në ndeshjen e Play Off-it përballë Salernitanës. Kujtojmë se me Venezian aktivizohet edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Giacomo Vrioni, i cili luajti 24 ndeshje këtë sezon, duke shënuar edhe një gol.
Vlen të theksohet se aktualisht bashkia e Palermos po dëgjon propozimet e të interesuarve për të marrë në dorë frenat e klubit, ku kandidati më serioz është Massimo Ferrero, aktualisht president i skuadrës së Sampdorias.