“Neymar do të vazhdojë sezonin e ardhshëm te PSZH-ja me 2000 për qind”, këto ishin fjalët e presidentit të klubit parisien, Al-Khelaifi, kur u pyet në lidhje me një transferim të mundshëm të yllit braziliat te Real Madridi në verën e ardhshme.
Sheiku i PSZH-së është shumë i qartë dhe i prerë duke mohuar kategorikisht shanset që të ndodhë transaksioni aq i përfolur prej kohësh. Por, presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez e ka mes vetullave të tij dhe është i bindur se herët a vonë, Nejmar do të veshë fanellën e bardhë. Në fakt, sipas “Don Balon”, mes brazilianit, përfshirë përfaqësuesit e tij dhe Real Madrid ka një pakt. Një pakt për të cilin të dy palët kanë rënë dakord që ta negociojnë në të ardhmen. Florentino Perez është i ndërgjegjshëm se PSZH nuk do ta lërë të lirë Nejmar këtë verë, vetëm një vit pasi klubi parisien pagoi 222 milionë euro për ta “rrëmbyer” nga Barcelona.
Prandaj, Perez është rikthyer te plani i tij fillestar, të negociojë për vitin e ardhshëm, 2019. Sepse refuzimit të PSZH, i shtohet edhe një tjetër problem, vendi i Kristiano Ronaldo. Transferimi i portugezit është më se i vështirë në këtë moment. Florentino konsideron vetëm një opsion, të presë që Kristiano të largohet në MLS në verën e 2019 dhe pastaj të “rrëmbejë” NeJmar. Pas dy viteve në Paris, PSZH mund të jetë më i hapur ndaj negociatave për një transferim që do të ishte një rekord tjetër botëror. Ajo që duket e qartë sipas medias spanjolle është fakti që Nejmar ka pranuar se Real Madrid do të sulmojë për atë dhe është i gatshëm të presë edhe një vit tjetër.