Aktivistët islamikë pakistanezë thonë se do t’i ndalin protestat tashmë njëjavëshe, pasi është arritur marrëveshje me Qeverinë për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë së Pakistanit, dhe kjo me gjasë duket se paraqet përfundim të përleshjeve vdekjeprurëse disaditëshe në kryeqytetin Islamabad.
“Kërkesa jonë kryesore është pranuar”, i tha sot agjencisë Reuters, Ejaz Ashrafi, zëdhënës i grupit, Tahreek-e Labaik Ya Rasool.
Protestat me kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Zahid Hamid, janë shndërruar në gjithnjë e më të dhunshme gjatë ditëve të fundit, pasi ky grup islamik e ka bllokuar hyrjen në Islamabad. Kjo ka çuar në përleshje, nga të cilat janë vrarë gjashtë persona dhe janë plagosur afro 200 të tjerë.
Islamistët pretendojnë se ministri Hamid kishte dorë në atë që ata e quajnë legjislacion blasfemik për plotësimin e betimit zgjedhor në Pakistan, pasi ai i ka shmangur fjalët e Profetit Muhamet në tekst.