Numri i përfituesve të pensioneve të pleqërisë në fshatra ka rënë ndjeshëm në 9 muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vihet re se për periudhën Janar-Shtator 2019, janë afro 5 mijë individë më pak që kanë përfituar pension të plotë apo të pjesshëm krahasimisht më të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konkretisht në 9 muajt e këtij viti përfituan pension pleqërie 109.849 individë në zonat rurale, nga 114.842 që ishin në të njëjtën periudhë të 2018-ës. Por ndërsa numri i përfituesve ka rënë, kontributet e të vetpunësuarve në bujqësi janë rritur gjatë kësaj periudhe me mbi 6 mijë individë, duke arritur shifrën e afro 59.077 mijë nga 52.825 që ishin në 9 mujorin e 2018-ës.
Numri më i lartë i kontribuuesve u përket zonave fushore, ndërsa qarqet dominante janë Tirana, Fieri, Elbasani, Korça, Durrësi, etj. Të ardhurat nga në skemë nga ky zë llogariten afro 1.6 miliardë lekë në total.