Ekspertët dhe mjekët, thonë se masat parandaluese dhe ndërhyrjet të hershme janë të domosdoshme për të zvogëluar rastet e prekura dhe shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Përveç kësaj, gjithashtu është e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me efektet negative të sjelljes së dhunshme, agresioni dhe praktikën e përjashtimit, sidomos në rrjetet sociale
Zenel MIFTARI
Shkup, 23 maj – Adoleshenca është një fazë e zhvillimit fizik dhe mendor të njeriut, zakonisht e renditur ndërmjet fazës së fëmijërisë dhe pjekurisë. Sipas hulumtimeve, në Maqedoninë e Veriut, 45 për qind e adoleshentëve kanë probleme me shëndetin mendor, që kryesisht ka për bazë (pa)kënaqësinë e jetës. Këto probleme, shfaqen përmes problemeve psikosomatike, si dhimbja e kokës, dhimbje barku, nervozizmi, dhe problemet me gjumin. Këto gjetje janë përfshirë në studimin e Zyrës rajonale të OBSH-së për Europë,”Shëndeti dhe mirëqenia e adoleshentëve në fokus”. Në hulumtimin në fjalë është konstatuar se problemet mendore te të rinjtë kanë dallim të madh gjinor, ku vajzat janë të prekura me më shumë probleme. Sipas raportit për Maqedoninë e Veriut, secila vajzë e dytë, apo rreth 45 për qind e vajzave në moshën 15 vjeçare përjeton simptoma depresive për të paktën dy javë vazhdimisht, si dhe paaftësi rreth 34 për qind për ta kaluar gjendjen depresive.
Në këtë raport janë përfshirë gjithsej 227.441 fëmijë të moshës 11, 13 dhe 15 vjeçare nga 45 vende të cilët janë studiuar rreth shëndetit fizik, marrëdhënieve shoqërore dhe mirëqenia mendore e tyre. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, janë përfshirë 4,685 studentë të tri moshave dhe dy gjuhëve mësimore, maqedonisht dhe shqip, ku u janë marrë të dhëna rreth shëndetit fizik dhe mendor, zakoneve dhe procedurat e tyre. “Shëndeti mendor dhe ai social janë veçanërisht të rëndësishme këtu, me dallime të larta gjinore dhe rritje të problemeve psikosomatike me moshën, veçanërisht në mesin e vajzave, si dhe mbështetje jo adekuate dhe aftësi të dobët të të rinjve për të përballuar sfidat e zhvillimit të tyre. Në të njëjtën kohë, ekzistojnë sjellje të rrezikshme te fëmijët si (përdorimi i pijeve alkoolike, pirja e duhanit, dhe përvojat e hershme seksuale), të cilat janë më të zakonshme tek djemtë dhe pa prirje apo dëshirë që të mos përdoren duke u rritur”, është shkruar në raport.
Sipas ekspertëve, këto probleme te adoleshentet ndikojnë bukur shumë në moshën më të madhe dhe manifestohen deri vonë. Sociologu Ali Pajaziti, për gazetën KOHA, është shprehur se problemet me shëndetin mendorë të të rinjve flasin për trende shqetësuese te kjo kategori vitale dhe dinamike e shoqërisë, që duhet të jetë bartësja e misionit të së ardhmes.
“Si duket bota e tyre është goditur fuqishëm nga kriza sociale, që lirisht mund të shprehet edhe në shumës. Së pari globalisht është evidente një vakum shpirtëror, që reflektohet edhe tek ne. Vetmia teknologjike e botës digjitale vë mure me botën reale, me të afërmit e familjes dhe me të tjerët, kjo krijon një zbrazëtirë shpirtërore që nuk mund të kompensohet”, shprehet ai. Sipas tij, shpresëthyerja lidhur me ardhmërinë, vete realizimin mund të jenë një arsye tjetër, pra defetizmi ekonomik dhe ai politik. Ai ka shtuar se humbja e shpresave për mbijetesë apo vetë qëndrueshmëri financiare dhe politika që zgjedh “tru me ngjyra partiake” gjithashtu mund të sëmurë mendërisht koka të shumta rinisësh që humben në këtë “oqean dështimesh”. Ndërkohë, Pajaziti ka folur edhe rreth problemeve brendafamiljare, ku sipas tij, kanë rol të madh dhe mund ta tensionojnë gjithashtu bukur shumë brezin e ri, që s’i kapërdin lehtë zënkat prindërore të cilat shpesh përfundojnë me divorc. “Humbja e besës të “rol modeli” i jetës gjeneron turbulenca të brendshme. Lojërat rinore me dashurinë, mund të çojnë në humnerë sepse zik-zaket e shumta aventureske, qofshin edhe virtuale, prishin balancin psikologjik të njeriut.
“Vonimi martesës dhe mos krijimi i familjes mund të jetë një shkak tjetër. ‘Vetmia vret’, thotë një aforizëm. Pra të qenët “single” sa është liri aq, ndoshta shumë më tepër, është edhe rrezik. Problemet artificialisht të krijuara lidhur me pamjen, vizualitetin, mospëlqimi i pamjes vetjake, obeziteti, opsesioni për t’u bërë si dikush tjetër, mund të shpien deri në stres, madje edhe në gjendje më të rënda mentale”, ka përfunduar Pjaziti. Prandaj, ekspertët dhe mjekët, thonë se masat parandaluese dhe ndërhyrjet të hershme janë të domosdoshme për të zvogëluar rastet e prekura dhe shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Përveç kësaj, gjithashtu është e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me efektet negative të sjelljes së dhunshme, agresioni dhe praktikën e përjashtimit, sidomos në rrjetet sociale. (koha.mk)